Lidhja Demokratike e Kosovës denoncon në polici kërcënimet ndaj zyrtarëve të saj

19/01/2023 08:19

Policia e Kosovës njoftoi të mërkurën në mbrëmje se ka pranuar raportime nga zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për ekzistimin e planeve për atentat ndaj zyrtarëve të lartë të kësaj partie.

“Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente, ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe bashkërendim me organet e drejtësisë”, thuhet në një njoftim të policisë, por pa ndonjë hollësi.

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike thanë se sipas informatave të marra nga një shërbim i huaj zbulimi kërcënimi ishte drejtuar ndaj kryetarit të kësaj partie Lumir Abdixhiku dhe tre deputetëve të saj.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, gjatë një debati në Radio televizionin “Dukagjini” tha se për këtë çështje janë informuar nga një agjenci zbulimi në Bashkimin Evropian.

Mund të konfirmoj që jemi informuar për këtë çështje për një lloj planifikimi dhe lloj njerëzish të lidhur me organizata në Kosovë dhe disa shtete tjera të Bashkimit Evropian dhe jashtë territorit të Evropës, individë që kanë rënë në përgjime të një prej agjencive inteligjente kryesore të vendeve të Bashkimit Evropian dhe nga ajo që na është thënë ne del që ka pasur një plan të strukturuar për këtë gjë”, tha Shala.

Shala tha se sipas informatave kërcënimet për atentat kanë të bëjnë për motive politike nga një rrjet i gjerë personash.

Unë mund të konfirmoj që është një rrjet njerëzish në Kosovë, në disa vende të Bashkimit Evropian dhe pretendohet për dy organizata, njëra nga të cilat pretendohet se vepron në Kosovë, tjetra jashtë Kosovës dhe ajo organizatë që vepron jashtë Kosovës ka marr përsipër që të financojë ekzekutimin e këtij plani”, tha Shala duke nënvizuar se nuk mund të jap më shumë hollësi.

Mediat lokale thanë se përveç kryetarit të LDK-së, kërcënimet ishin drejtuar edhe ndaj ish-kryeministrit Avdullah Hoti dhe deputetëve Arben Gashi e Armend Zemaj.

Lidhja Demokratike e Kosovës është subjekti më i vjetër politik në Kosovë, aktualisht në opozitë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA