“BE të shtojë fondet për Ballkanin”/ Rama: BE në rajon po pëson rënie, Putin në disa vende shihet si hero, jo në Shqipëri

19/01/2023 23:25

Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje Bashkimit Europian të shtojë fondet për Ballkanin perëndimor, në mënyrë që të mbajë larg influencën e Rusisë nga rajoni.

Kryeministri shtoi se influenca ruse në Shqipëri është më pak se zero.

“Shtetet e Bashkimit Europian kanë fonde rimëkëmbjeje, kanë fonde për novacionin, kanë fonde për mrekullira nga BE. Ne nuk kemi, asnjë nga ne në rajon nuk ka. Bashkimi Europian duhet të na bëjë pak më tepër pjesë, Maqedonia e Veriut është shumë e rrezikuar që të shkojë drejt një nacionalizmi mjaft të thellë që mund të krijojë probleme. Njerëzit në Bruksel duhet të kuptojnë se jemi në një rajon ku BE po pëson rënie dhe Putin, në disa prej vendeve po shihet gjithmonë e më tepër si hero, jo në Shqipëri, në Shqipëri është ndryshe, popullariteti është 0,07 dhe përsëri është shumë për ne, sepse siç e thamë, ne jemi absolutisht mjaft të përfshirë, e duam Bashkimin Europian 99%, e duam SHBA 100%”, tha Rama.

Këtë deklaratë kryeministri e bëri në samitin botëror të përvitshme të Davozit në Zvicër ku foli edhe për vështirësitë që po has Shqipëria për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

“Procesi ka ndryshuar, ka ndryshuar tërësisht, është bërë më neurotik dhe më i padrejtë, por pa BE-në, vendet e Ballkanit nuk do të kishin të ardhme, duke qenë se BE-ja është i vetmi burim njohurie sesi të ndërtohen institucionet, shteti demokratik. Por, në qoftë se do t’u rezervonin të njëjtin trajtim vetë shteteve anëtare, duhet t’iu them dhe nuk po them Malta, por më shumë se gjysma e shteteve anëtare të Bashkimit Europian nuk do ta kishin më të mundur të hyjnë në Bashkim Europian”.

Pjesë e panelit ishte dhe Presidentjsa e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç i cili premtoi se nuk do të ketë kurrë një sulm nga Serbia ndaj asnjë fqinji në Ballkan. Këtë deklaratë Vuçiç e bëri pasi shpesh e krahasojnë me presidentin e Rusisë Vladimir Putin.

Top Channel