“Me aleatët kundër sulmit nga Irani”/ Sulmet kibernetike, Rama: Shqipëria, laborator

18/01/2023 12:05

Udhëheqës botërorë janë bërë bashkë në forumin e përvitshëm botëror ekonomik në Davos, ku një vëmendje e posaçme i është kushtuar sulmeve kibernetike.

Në konferencën “Perspektiva e Sigurisë Kibernetike Globale 2023” kryeministri Edi Rama u pyet për përvojën shqiptare me të tilla sulme shkatërruese.

 “Ajo çfarë kemi mësuar është se kjo është diçka për të cilën është tejet naive të mendosh që çdo vend, qoftë i varfër, i fuqishëm, qoftë i pasur ose jo, të mund ta trajtojë i vetëm. Sepse ajo çfarë po shohim në betejën tonë të përditshme, jemi nën sulm qysh prej verës së kaluar nga Irani, do të ishte e ndërlikuar që t’ia shpjegoja pse audiencës, por jemi nën sulm, dhe jemi bërë në koalicion me një sërë vendesh mike që përballen me të njëjtin kërcënim që vjen nga i njëjti burim që janë më të zhvilluar se ne”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek elementët mbrojtës ndaj të tilla sulmeve.

 “Sa i takon mbrojtjes kibernetike që këto armë, po ta përdor këtë fjalë sepse janë armë të vërteta, janë loge dhe kode që përdoren për të na sulmuar përfaqësojnë apo përbëjnë risi për aleatët tanë.

do të thotë, është edhe një mënyrë për të mësuar se c’armë të reja përdoren çdo ditë dhe për t’u përgatitur kundër tyre. Pra çështja është: sa do të bëhen bashkë, sa do të bëhet bashkë bota, sa do të bëhen bashkë vendet. Sa vendet e vogla, të mëdha, të pasura dhe jo të pasura do të kuptojnë që duhet të jenë me njeri tjetrin sepse në mos për asgjë tjetër Shqipëria tashmë është laborator shumë i rëndësishëm për të kuptuar çfarë vjen më pas”, tha Rama.

Në konferencën “Perspektiva e Sigurisë Kibernetike Globale 2023” kryeministri Edi Rama shpjegoi sfidat e  Shqipërisë për tu mbrojtur.

 “Së bashku me dy vende të tjera mike, është saktësisht kjo.  Ne po zbulojmë, falë edhe ekspertizës së tyre më të madhe, saktësisht se cilat janë lëvizjet në errësirë, që në të kundërt askush nuk do t’i dinte.

Ne jemi mjaft të angazhuar për të rritur ndërgjegjësimin e sektorit privat për këto rreziqe dhe që të bëjmë që ky sektor privat të hyjë në bashkëpunim dhe në ndërveprim me qeverinë edhe kur vjen fjala për të kontribuar”, tha Rama.

Kryeministri ritheksoi se me ndihmën e Microsoft dhe ekipit të FBI arritën në përfundimin se ishte absolutisht e qartë se pas këtij sulmi ishte një shtet dhe konkretisht Irani. Ky është një sulm që i atribuuam Iranit bazuar në fakte.

Top Channel