Seanca e parë në Gjykatën Kushtetuese për mandatin e ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçkës përfundoi dhe pas shqyrtimit të pretendimeve të palëve, trupa gjykuese u tërhoq për vendim
Sipas ligjit për Gjykatën Kushtetuese, trupa ka 30 ditë kohë për t’u shprehur.
Demokratët kërkojnë që t’i hiqet mandati i deputetes ministres Olta Xhaçka. Opozita ka argumentuar në kërkesën për Gjykatën Kushtetuese se mandati i deputetes së Partisë Socialiste Olta Xhaçka është i pavlefshëm për shkak se bashkëshorti i saj ka përfituar pasuri publike me shpalljen si investitor strategjik nga Komiteti i drejtuar prej kryeministrit Rama.
Kompania që do të ndërtojë një resort luksoz në bregdetin e jugut, ka marrë nga qeveria në përdorim për 30 vjet një plazh në Dhërmi.
Duke iu referuar ligjit për konfliktin e interesit, deputetët demokratë sjellin si argument se përfitimet nga pasuria publike e bashkëshortit të ministres janë njësoj sikur të ishin të regjistruara në emër të vetë ministres. Prandaj, sipas tyre, Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë për heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
Vetë ministrja i ka rrëzuar më herët këto akuza dhe është shprehur se nuk ka asgjë të paligjshme në vendimet e qeverisë.
Partia Socialiste ka rrëzuar dy herë kërkesat e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për investimet strategjike, që do të përfshinte edhe hetimin e përfitimit të pasurisë publike nga bashkëshorti dhe familjarë të tjerë të Xhaçkës.
Top Channel