15 deri në 20 cm borë parashikon zyra kombëtare metereologjike e Britanisë së Madhe në disa zona, ndërsa lëshon paralajmërimin që të shmangen udhëtimet në kushtet e bombës së motit që po i afrohet vendit.
Reshje të dendura dëbore parashikohet të pasohen nga një bllokim masiv i rrugëve dhe ndërprerje të energjisë elektrike. Drejtuesit e automjeteve mund të mbeten në rrugë, thonë ekspertët që apelojnë edhe për anulim të fluturimeve dhe udhëtimeve me tren. Një seri paralajmërimesh për motin e keq janë përhapur në shumë zona ndërkohë që Skocia pritet të goditet më rëndë nga kjo situatë atmosferike.
Parashikime për kujdes janë lëshuar tashmë për Uellsin, Devonin e Cornwallin, sipas The Guardian, si dhe për Skocinë jugperëndimore dhe Irlandën e Veriut, ku rrugët mund të vishen me akull e të bëhen tejet të rrezikshme për qarkullim. Në disa pjesa të vendit këshillohet lëvizja me makina vetëm nëse është absolutisht e domosdoshme. Paralajmërimet e autoriteteve erdhën pasi brenda 5 orësh u regjistrua më shumë se 100 aksidente rrugore të lidhura me motin e keq dhe ngricat.
Zyra e Metereologjisë thotë se mbrëmja e së hënës ishte më e ftohta e të gjithë vitit deri më tani në Mbretërinë e Bashkuar me një ulje të temperaturave prej -9.8C të regjistruar në Topcliffe, North Yorkshire, ndërsa e gjithë Anglia pritet të përballet me një valë të madhe të ftohti të paktën deri mëngjesin e së premtes.
Top Channel