Arrestimi i Matteo Messina-s ‘tërmet’ për mafian, por ‘Cosa Nostra’ ende e fortë

18/01/2023 10:13

Të dhënat e shtrira në kohë që dëshmojnë vrasjet që ka kryer Matteo Messina Denaro janë të mjaftueshme për të mbushur një varrezë, duke e shndërruar atë në një nga bosët kryesorë të mafies siçiliane.

Pasi ia doli për 30 vite t’i shmangej kapjes, teksa vazhdonte të drejtonte shumë nga punët e mafies, ai u arrestua të hënën në një klinikë në Palermo, ku po trajtohej me kimioterapi. Të martën ai u dërgua në një burg të sigurisë së lartë, megjithatë kapja e tij nuk pritet të sjellë zhdukjen e Cosa Nostra-s, falë rrënjëve dhe rregullave më shumë se një shekullore të grupit kriminal.

Çfarë do të ndodhë në detaje, ne nuk mund ta dimë“, tha Prokurori i Përgjithshëm i Palermos, Lia Sava, për radion shtetërore, lidhur me të ardhmen e mafies.

Por një gjë është e sigurt. Cosa Nostra përbëhet nga rregulla. Ajo është mbështetur në këto rregulla për 150 vjet, ndaj sigurisht që do t’i vërë në lëvizje ato për të riparuar dëmet dhe për të krijuar kështu strukturën e re drejtuese, të nevojshme pas arrestimit”, tha zoti Sava.

Edhe pse Messina Denaro kishte ndikim të madh tek mafia, për dekada të tëra, Cosa Nostra-s i mungonte një “udhëheqës suprem”, thanë hetuesit.

Figura praktikisht mitike e një “bosi mbi bosat” mori fund në vitin 1993, me arrestimin në Palermo, të Salvatore “Toto” Riina-s, i cili kishte qenë një nga personat më të kërkuar në Itali për 23 vjet.

Sipas dëshmive gjyqësore që çuan në dënimin e tij për shumë vrasje, përfshirë vendosjen e bombave në vitit 1992, ngjarje gjatë të cilave u vranë dy prokurorët kryesorë të antimafias italiane, Toto Riina ishte në krye të atij që njihej si “komisioni” i Cosa Nostra-s, i cili drejtonte biznese të paligjshme dhe kishte hartuar një strategji hakmarrjeje të përgjakshme kundër shtetit, si përgjigje ndaj goditjes që i ishte bërë grupit kriminal.

Pas Riina-s nuk ka pasur kurrë një bos absolut“, tha kryeprokurori i Romës Francesco Lo Voi, i cili mori detyrën vitin e kaluar, pasi shërbeu si kryeprokuror i Palermos, duke ndihmuar në koordinimin e punës për kapjen e Messina Denaros.

Edhe nëse figura e “bosit mbi bosat” vazhdon të ekzistojë, Messina Denaro nuk do të ishte kualifikuar sepse ai vinte nga Castelvetrano, skaji perëndimor i Siçilisë dhe jo nga Palermo apo fshatrat përreth tij, vuri në dukje zoti Lo Voi, duke cituar rregullat e Cosa Nostra-s.

Megjithatë, Messina Denaro, djali i një bosi krimi, “ishte një nga bosët më të rëndësishëm dhe kishte lidhje me organizata të tjera kriminale në Itali dhe jashtë saj”, tha zoti Lo Voi për agjencinë Associated Press.

Kjo është arsyeja pse arrestimi i tij me siguri që përfaqëson një tërmet në këtë moment për Cosa Nostra-n”, tha zoti Lo Voi.

Ajo çka ka rritur figurën e Messina Denaro-s brenda grupit kriminal ishin të dhënat e tij të forta si një shef i klanit e me një ndikim mbi një pjesë të madhe të Sicilisë perëndimore, tha zoti Lo Voi.

Messina Denaro u transportua me një aeroplan ushtarak të martën në burgun e sigurisë së lartë në L’Aquila, ku rregullat strikte për bosët kryesorë të organizatave kriminale që nuk bashkëpunojnë me autoritetet, përfshijnë privilegje tejet të kufizuara për vizitorë.

Prokurori kombëtar i anti-mafies italiane Giovanni Melillo, tha se vendosja përfundimisht pas hekurave e Messina Denaro-s nuk do të ndryshojë strategjinë që Cosa Nostra ka ndjekur për më shumë se një dekadë.

Kjo strategji “nuk është më një strategji e dhunës” kundër shtetit, tha zoti Melillo në televizionin shtetëror të hënën në mbrëmje, duke iu referuar bombave të vitit 1992, që vranë prokurorët e Palermos, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, si dhe sulmet me bomba të vitit 1993 kundër kishave të Romës, pjesë e përpjekjes së mafias për të detyruar shtetin që të heqë dorë nga goditja e Cosa Nostra-s.

Në ndryshim, Cosa Nostra po ruan profil të ulët, duke zgjedhur të depërtojë në strukturat sociale dhe ekonomike të Italisë, tha zoti Melillo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA