India do të kalojë Kinën këtë vit për t’u bërë vendi më i populluar në botë, kjo pasi Kina raportoi se popullsia e saj është tkurrur.
Ky ndryshim do të ketë implikime të rëndësishme ekonomike për të dy gjigantët aziatikë, të cilët kanë më shumë se 1.4 miliardë banorë secili.
Kina raportoi gjithashtu një nga numrat e saj më të keq të rritjes ekonomike në gati gjysmë shekulli, duke nënvizuar sfidat e mëdha me të cilat përballet vendi ndërsa fuqia e saj e punës tkurret dhe radhët e pensionistëve rriten.
Ekziston frika se India nuk po krijon mundësi punësimi për miliona punëkërkues të rinj. Të dhënat tregojnë se një numër në rritje i indianëve nuk po kërkojnë as punë, duke pasur parasysh mungesën e mundësive dhe pagat e ulëta.
Popullsia e kombit të Azisë Jugore në moshë pune është mbi 900 milionë, sipas të dhënave të vitit 2021 nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim ( OECD ). Ky numër pritet të arrijë në më shumë se 1 miliard gjatë dekadës së ardhshme, sipas qeverisë indiane .
Shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore të Indisë, një vlerësim i fuqisë punëtore aktive dhe njerëzve që kërkojnë punë, qëndroi në 46%, që është ndër më të ulëtat në Azi, sipas të dhënave të 2021 nga Banka Botërore . Për krahasim, normat për Kinën dhe Shtetet e Bashkuara qëndruan përkatësisht në 68% dhe 61% në të njëjtin vit.
Për femrat, shifrat janë edhe më alarmante. Shkalla e pjesëmarrjes së femrave në punë në Indi ishte vetëm 19% në 2021, nga rreth 26% në 2005, tregojnë të dhënat e Bankës Botërore.
“India është ulur mbi një bombë me sahat,” tha për CNN Chandrasekhar Sripada, profesor i sjelljes organizative në Shkollën Indiane të Biznesit.
“Do të ketë trazira sociale nëse nuk mund të krijojë mjaftueshëm vende pune në një periudhë relativisht të shkurtër kohore”, shtoi ai.
Top Channel