Ne imponojmë zakone njerëzore në jetën e qenushëve tanë, nga veshja e rrobave deri tek dhënia e ushqimit që hamë vetë, si çokollata apo frutat.
Megjithatë, tek ushqimi duhet të jeni të kujdesshëm. Shumë nga produktet mund të jenë të dëmshme për organet e kafshëve shtëpiake.
Çokollatë dhe kafeinë
Ushqimet që përmbajnë ndonjë nga këto produkte mund të jenë shumë të dëmshme për qentë. Ato irritojnë stomakun dhe mund të shkaktojnë dhimbje, diarre ose të vjella. Nëse konsumi i çokollatës dhe kafeinës ndodh në mënyrë të përsëritur, në afatgjatë mund të përfundojë me probleme me zemrën.
Produktet e qumështit
Qumështi është një nga ushqimet që stomaku i qenit e toleron më pak. Djathin dhe kosin mund t’i konsumojnë, por gjithmonë në doza të vogla.
Ëmbëlsirat
Ushqimet që përmbajnë produkte me origjinë artificiale, si bojërat ose sheqeri, duhen lënë jashtë dietës së kafshëve tona. Për të ëmbëlsuar ushqimin në fjalë, përdoret ksilitoli, një substancë që mund të ketë efekte shkatërruese te qeni juaj.
Kajsi dhe pjeshkë
Rreziku i këtyre frutave qëndron kryesisht në bërthamën e tyre. Përtej madhësisë, bërthamat përmbajnë edhe cianid. Bërthamat e disa frutave mund të jenë të rrezikshme për shëndetin e qenve. Ky është rasti i bërthamës së qershisë, që mund të jetë helmuese.
Alkooli
Edhe pse nuk është një ushqim në vetvete, alkooli është shumë i dëmshëm për qentë. Substancat që përmbajnë alkool mund të shkaktojnë ngordhjen e tyre.
Rrushi
Është një frut i ndaluar për qentë. Kjo për shkak të një substance që është toksike në organizmin e qenit, që shkakton një ndryshim metabolik që çon në siklet në zorrë, që mund të shkaktojë të vjella dhe diarre.
Agrumet
Limonët, portokallet apo mandarinat nuk rekomandohen për konsum sepse acidi në këto fruta mund të dëmtojë stomakun e qenit.
Hudhra
Hudhra përmban tiosulfat, ashtu si edhe qepa. Duke qenë se organizmit të qenit i mungon enzima e nevojshme për ta tretur atë, nuk toleron asnjë nga këto ushqime. Konsumimi i tyre mund të shkaktojë takikardi dhe të fikët tek qentë.
Top Channel