​Franca synon të fusë të drejtën e abortit në Kushtetutë

17/01/2023 17:37

Franca synon të fusë në Kushtetutë të drejtën e abortit, 48 vjet pasi aborti u dekriminalizua në atë vend, dhe më pas u parashikua me ligj.

Siç raporton Euraktiv, Franca do të bëhet vendi i parë që do të përfshijë të drejtën e abortit në Kushtetutën e saj, gjë që do të dërgojë një sinjal të fortë për gratë në mbarë botën, tha aktivisti Alban Gajo, i cili merret me planifikimin familjar.

Në fund të nëntorit, Parlamenti francez miratoi një projektligj për përfshirjen e të drejtës së abortit në Kushtetutë. Pritet që projektligji të dalë në Senat më 1 shkurt të këtij viti.

Gajo thotë se është thelbësore që qasja ndaj abortit të përfshihet në Kushtetutë.

“Është e rëndësishme sepse do të thotë se e drejta për abort njihet si e drejtë themelore”, tha Gajo.

Përveç simbolikës së fortë, shkrimi i së drejtës së abortit në Kushtetutë do të garantonte qasje në abort pavarësisht nga shumica politike në pushtet.

“Ajo që lejohet me ligj mund të anulohet me ligj tjetër. Duhet të rikonfirmojmë mbrojtjen që duam t’i ofrojmë abortit”, tha deputetja Matilda Pano dhe shtoi se përfshirja në kushtetutë jep garanci shtesë se kjo nuk do të ndodhë.

Pasi Gjykata e Lartë e SHBA shfuqizoi të drejtën kushtetuese për abortin më 24 qershor 2022, duke ia lënë secilit shtet të vendosë nëse do ta ruajë këtë të drejtë apo jo, eurodeputetët kërkuan në një rezolutë të miratuar korrikun e kaluar që e drejta e abortit të përfshihet në Karta Evropiane për të drejtat themelore.

Kjo kërkesë duhet të shqyrtohet tani nga Këshilli Evropian, por shtetet anëtare janë të ndara për këtë çështje dhe unanimiteti duket i pamundur.

Aborti është plotësisht i ndaluar në Maltë dhe gratë që i nënshtrohen procedurës ose blejnë pilula aborti rrezikojnë deri në tre vjet burg.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA