Shoqata: Sektori i Bareve dhe Restoranteve ka 20 % mungesa në punëtorë. Përveçse nuk ka punëtorë, nuk ka edhe klientë. Çmimët në bare dhe restorante do të rriten 20-30%, këtë vit.
Sipas Institutit të Statistikave INSTAT, në Shqipëri ka rreth 20 mijë bare dhe restorante dhe në këtë sektor punojnë gati 100 mijë njerëz.
“Ne për çdo vit të ri themi shyqyr që iku viti i vjetër, sepse çdo vit po bëhet më keq. Kjo edhe për shkak të ikjes masive jashtë të shqiptarëve. Tashmë ne përveçse nuk kemi personle, nuk kemi as klientë. Sektori i bareve dhe restoranteve ka momentalisht 15-20% më pak fuqi punëtore që kërkon që nga recepsionistë, kamarierë, banakierë, ndihmëskuzhinierë, kuzhinierë, shef kuzhine dhe pastruese”, tha Enri Jahaj, kreu i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve.
“Pagat e punëtorëve të sektorit të bareve dhe restoranteve do të vazhdojnë të rriten edhe këtë vit deri në 2026-tën, kur sistemi do të fillojë të ngopet. Këto janë profesione që vazhdojnë të kërkohen jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë, pasi ka një mungesë të madhe. Sot Shqipëria edhe me veprimet e fundit që ndërmori qeveria, për pajisjen me dokumeta pune dhe qëndrimi të punonjësve të huaj, prapë e ka shumë të vështirë, pasi edhe njerëzit që vijnë nga jashtë e shohin vendin tonë si trampolinë për BE. Vijnë punojnë 1 muaj dhe ikin”, shtoi Jahaj.
“Këtë vit çmimet në bare dhe restorante do të rriten minimumi me 20-30%, pasi nuk mundet më biznesi të mbajë kostot e rritura, këto duhej të ishin reflektuar që 2 vjet më parë. Rritjen e pagës së kamarierit, banakierit e të gjithë zinxhirit do ta paguajë konsumatori”, përfundoi Enri Jahaj.
Top Channel