Video/ Tre gola për shtatë minuta, “luftëtari” i Dortmundit rikthehet të buzëqeshë

14/01/2023 09:44

Sebastian Haller është rikthyer të buzëqeshë, luajë dhe shënojë gola. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë u transferua verën e kaluar nga Ajaxi te Borussia Dortmund (31 mln euro).

28-vjerçari mbërriti në “Signal Iduna Park” me misionin e vështirë që të “harrohej” Erling Haaland, por një sëmundje e keqe në testikuj e tronditi dhe i prishi momentin e bukur.

Haller kreu dy operacione, nuk u dorëzua asnjëherë dhe ia doli të fitonte betejën ndaj sëmundjes së tmerrshme. Sulmuesi afrikan luajti disa minuta në miqësoren e 10 janarit ndaj Fortuna Dusseldorf.

 

Të premten ishte radha e përballjes ndaj Baselit. Haller u fut në fushë në minutën e 61’ dhe realizoi tre gola brenda shtatë minutave, duke treguar se nuk i ka humbur instinktet përpara portës.

I pari me një penallti, dyti pas një asisti nga Julian Brandt dhe i treti më i bukuri: me të jashtmen nga një top i ardhur nga goditja e këndit.

Verdhezinjtë fituan 6-0, por më shumë se rezultati trajnerin, shokët e skuadrës dhe tifozët i lumturoi festa dhe buzëqeshja e qendërsulmuesit, i cili tani pret debutimin zyrtar me skuadrën gjermane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA