Turqia “nuk është në pozicion” për të ratifikuar ligjin e anëtarësimit të Suedisë në NATO

14/01/2023 19:28

Turqisë është duke i kaluar koha për ratifikim të ligjeve për anëtarësim të Suedisë dhe Finlandës në NATO, para se të mbajë zgjedhjet në maj, ka thënë Ibrahim Kalin, zëdhënës i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Ai ka thënë se ratifikimi varet nga shpejtësia e Stokholmit për të përmbushur premtimet kundër-terrorizmit, që janë të përfshira në marrëveshjen e nënshkruar me Ankaranë.

“Stokholmi është plotësisht i përkushtuar në zbatim të marrëveshjes së nënshkruar vitin e kaluar në Madrid, mirëpo shtetit i duhen edhe gjashtë muaj tjerë për të nënshkruar ligjet e reja që do t’i lejonin sistemit gjyqësor që të zbatojë definicionet e reja për terrorizmin”, ka thënë Kalin në një konferencë për media në Stamboll.

“Nuk jemi në pozicion për të dërguar ligjin e ratifikimit në parlament”.

Bashkë me Finlandën, Suedia e ka nënshkruar një marrëveshje me Turqinë vitin e kaluar, me qëllim të tejkalimit të kundërshtimeve të Ankarasë për anëtarësimin e këtyre dy vendeve në NATO.

Të dyja shtetet kanë aplikuar për anëtarësim në aleancën veri-atlantike, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

Ankaraja ka thënë se Suedia duhet të ketë qëndrim të qartë kundër atyre që i konsideron terroristë, kryesisht militantët kurdë dhe një organizatë që e fajëson për tentimet e dështuara për puç më 2016.

Kalin ka thënë se Qeveria suedeze duhet të dërgojë mesazh të qartë “te organizatat terroriste se Suedia nuk është më strehë e sigurt për ta, dhe se ata nuk do të mund të fitojnë para, të rekrutojnë anëtarë dhe të përfshihen në aktivitet tjera”.

“Jemi të lidhur me afate kohore nëse ata duan t’i bashkohen NATO-s para samitit të NATO-s në qershor”, ka shtuar Kalin, duke iu referuar zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Turqi, që pritet të mbahen në maj.

“Duke marrë parasysh që parlamenti do të shkojë në pushim para zgjedhjeve, kemi vetëm 2.2.5 muaj kohë për të përfunduar gjithçka”, ka thënë ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA