Gjermania u është bashkuar thirrjeve që lideri opozitar rus, Alexei Navalny të marrë trajtim të duhur shëndetësor, pas shqetësimeve në rritje për shëndetin e tij.
Gjithmonë e më të mëdha janë shqetësimet rrejt gjendjes shëndetësore të liderit opozitar rus, Alexei Navalny, të burgosur prej dy vjetësh tashmë. Gjermania u bë vendi më i fundit që i bashkohej thirrjeve për një trajtim të duhur shëndetësor për kritikun e Kremlinit, shëndeti i të cilit është rënduar ndjeshëm.
Reagimi i Berlinit zyrtar erdhi pasi rreth 500 mjekë rusë nënshkruan një letër të hapur drejtuar presidentit Vladimir Putin, në të cilën u kërkohej autoriteteve të burgut të ndalonin menjëherë abuzimin ndaj krye opozitarit.
Avokati i Navalnyt pohoi se ai është vizituar së fundi nga një mjek, por nuk i janë siguruar ilaçet që i nevojiten. Vetë Alexei Navalny është ankuar nuk i lejohet qasja në medikamentet më bazike. Veç apelit për kujdes shëndetësor, Berlini përsëriti sërish thirrjen edhe për lirimin e tij, duke thënë se burgosja e 46 vjecarit është bazuar “në një vendim të motivuar politikisht”.
Navalny u arrestua në janar të vitit 2021, pak pas kthimit në Rusi nga Gjermania, ku qëndroi për disa kohë në spital pas sulmit me agjent nervor në Siberi. Më herët, edhe zëdhënësi i Këshillit amerikan për Siguri Kombëtare, John Kirby, ka thënë se Shtetet e Bashkuara ndajnë shqetësimet e mjekëve rusë për gjendjen e Navalnyt, dhe kanë kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm.
Top Channel