Ka qenë Serbia këtë radhë shënjestra e Europolit, që në bashkëpunim me autoritetet policore dhe gjyqësore serbe, e ato nga Bullgaria, Qiproja dhe Gjermania, kanë nisur një hetim kundër grupeve të krimit të organizuar për mashtrimet që kanë të bëjnë me investimet përmes internetit.

Një grup pune ishte ngritur për të mbështetur hetimin ndërkufitar, duke goditur një rrjet kriminal të përbërë nga disa grupe të ndryshme që operojnë përmes call centera-ve.

Viktimat, këtë radhë kryesisht nga Gjermania, janë joshur për të investuar shuma të mëdha parash në skema të rreme të kriptovalutave.

1 milionë dollarë në kriptovaluta dhe 50 mijë euro u sekuestruan në kuadër të operacionit, gjatë të cilit kanë përfunduar në pranga 15 persona, 14 prej tyre në Serbi dhe vetëm një në Gjermani. 261 vetë janë marrë në pyetje e disa prej tyre po ndiqen penalisht.

22 pika janë kontrolluar gjithsej, pesë në Bullgari, dy në Qipro, 15 në Serbi duke përfshirë katër call center-a dhe 11 zyra në Serbi, dy zyra në Qipro, dy kompani dhe tre zyra në Bullgari.

Aktualisht vlerësohet se dëmi financiar i viktimave gjermane është mbi dy milionë euro, ndërsa të prekur nga skema e mashtrimit ka edhe në vende të tjera si Zvicër, Australi dhe Kanada. Mendohet ndërkohë se fitimet e paligjshme të siguruara nga grupet kriminale janë shumë më tepër, dhe mund të mbërrijnë në qindra miliona euro.

Top Channel