Bandat e krimit përfitojnë nga kërkesa e tregut të zi për lëkurë gomerësh në Azi (fotot)

13/01/2023 17:31

Bandat kriminale në Afrikën Perëndimore raportohet se kanë gjetur një burim të ri të ardhurash ilegale duke përfituar nga tregtia mizore dhe kërkesa për lëkurë gomerësh në vendet e Azise. 

Sipas një raporti të analistëve të Institutit të Studimeve të Sigurisë  një grup pan-Afrikan analistësh, tregu i zi global i lëkurëve të gomerëve nxitet nga kërkesa në Kinë ku besohet se prej saj nxirren përbërës që përdoren në mjekësi, kozmetikë e madje produkte afrodiziake.

Këto praktika kanë bërë që numri i gomerëve të reduktohet ndjeshëm në Kinë prej viteve 1990-të, shkruan rrjeti britanik Metro, duke shtuar kërkesën për “materialin e parë nga jashtë”.

Me rreth katër milionë lëkura të tilla që llogaritet se blihen çdo vit, tregtarët ilegalë kërkojnë të importojnë gjithnjë e më shumë përbërësin e tyre të çmuar.

Prandaj rajoni Afrikës Perëndimore është kthyer në një pikë të nxehtë të trafikut të lëkurëve të gomerëve, e nxitur nga mendësia toleruese e autoriteteve.

Kafshët shpesh vriten me mjete mizore si thika ose shpata, teksa në Mali raportohet për një kompani kineze që ther rreth 100 gomerë në ditë.

Analistët llogarisnin se rreth 19 ton lëkura janë shitur nga Burkina Faso klientëve kinezë nga viti 2015 deri në 2016, ndërsa në të njëjtën periudhë kishte një rritje të kësaj tregtie në Niger.

Mediat sociale luanin rol të konsiderueshëm ndërlidhjeje në zinxhirin e furnizimit duke i lejuar anonimat blerësve dhe shitësve ilegalë.

Autoritetet thonë se efektet negative të këtij aktiviteti nuk lidhen vetëm me mirëqenien e kafshëve por dhe me përhapjen e sëmundjeve siç është përmendur në kontekst, njëfarë “gripi i kuajve”.

Agjencia shkruante në raport: “Vrasjet masive të gomerëve kanë pasoja dëmtuese te shoqëria afrikane. Kafshët janë një burim të ardhurash dhe mjet transporti në Afrikën pendimore”.

Aty shtohej se kërkesa për lëkura gomari mund të kënaqej me kolagjen gomari të prodhuar në laborator, si një alternative ndaj përbërësit të njohur si ‘ejiao’, që përdoret në mjekësinë tradicionale aziatike.

FOTO GALERI
1/3
Bandat kriminale në Afrikën Perëndimore raportohet se kanë gjetur një burim të ri të ardhurash ilegale duke përfituar nga tregtia mizore dhe kërkesa për lëkurë gomerësh

Top Channel