Policia e Shtetit kremton sot 110-vjetorin e themelimit.
13 janari është një datë e artë, e shënjuar përjetësisht në historinë e Shqipërisë, në memorien e kombit dhe në memorien e çdo qytetari që ka ndërtuar jetën, familjen dhe pronën, nën hijen e shtetit amë, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, në ceremoninë e sotme.
“Në çdo fragment të rrjedhës së historisë, Policia e Shtetit ka qenë burim sigurie dhe besimi për qytetarët dhe në emër të këtij ideali, janë sakrifikuar shumë nga radhët e saj. Martirët e Policisë së Shtetit kanë gjakun e tyre, në ngjyrën e flamurit kombëtar dhe ky është një motiv i fortë, pse Policia e Shtetit është sot më e angazhuar se kurrë, për ta ruajtur të denjë simbolin e lartë kombëtar”, tha Rrumbullaku në fjalën e tij.
Një ditë feste, përzier me me reflektim, ndjenjë të lartë përgjegjshmërie dhe përulje të thellë, e ka cilësuar këtë 13 janar drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
“Punonjësit e Policisë sot nuk gjenden përballë krimit, të vetëm me uniformën dhe me armën e shërbimit. Pajisjet e teknologjisë bashkëkohore, çelja e një epoke të re për bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe filozofia e kontaktit të drejtpërdrejtë me problematikën e qytetarit, bëjnë që 13 janari i vitit 2023 të na gjejë shumë herë më të sigurtë, më të mbrojtur, më efecientë dhe më profesionistë”.
Para forcave të policisë, Rrumbullaku dha një zotim!
“Ne zotohemi përballë qytetarëve tanë se puna e Policisë së Shtetit do të vijojë të mbetet thellësisht e pranishme dhe fisnike, në jetët e shqiptarëve, si dhe se do të jetë në koherencë të plotë me hapat e ndryshimit të përditshëm të shoqërisë sonë. Brezat e rinj të Policisë së Shtetit me përgjegjshmërinë dhe atdhedashurinë që i karakterizojnë, do të vijojnë të lënë gjurmë në historinë e Policisë së Shtetit, e cila shtrihet tashmë në 2 shekuj.
Kjo armatë e re profesionistësh dhe të përkushtuarish, do të kontribuojnë për përmirësimin e imazhit të Policisë së Shtetit dhe për rritjen e cilësisë së shërbimit, për qytetarët që besojnë në punën e Policisë dhe e mbështetin atë, të sigurtë se kjo është mënyra e vetme, për t’i dhënë këtij vendi, stabilitetin dhe integritetin që meriton të ketë”.
Top Channel