Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski ka fshikulluar zërat skeptikë ndaj takimit që kryeministri Edi Rama pati në Tiranë me liderët e partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut, duke i cilësuar reagimet kundër tij si të “panevojshme” dhe të “vjetërsuara”.

Takimi, në të cilin u diskutuan çështje që kanë të bëjnë me përshpejtimin e integrimit europian të të dyja vendeve, ngjalli reagime të shumta në Shkup, sidomos nga ana e opozitës maqedonase e cila deklaroi se ftesa e Ramës ishte në fakt sipas saj një “përpjekje për të shpëtuar qeverinë maqedonase të kryeministrit Dimitar Kovaçevski”, dhe një lëvizje e dëmshme për interesat shtetërore e kombëtare maqedonase”.

Pakënaqësinë e VMRO DPMNE-së e nxiti edhe diskutimi në këtë takim mbi ndryshimin e kushtetutës maqedonase, si kusht që del nga marrëveshja me Sofjen për përfshirjen e bullgarëve në kushtetutë. Pendarovski u tregua i prerë në reagimin e tij për mediat lokale, ku tha se “ ka ikur koha kur proceset politike, ngjarjet apo takimet që ndodhin në Tiranë shiheshin si kërcënim për sigurinë tonë”.

“Dekada më parë, Republika e atëhershme Socialiste e Shqipërisë ishte një kërcënim sigurie për ne. Ka kohë që ka kaluar koha kur proceset politike apo ngjarjet apo takimet që ndodhin në Tiranë duhet t’i shohim si një kërcënim sigurie për ne. Të mos harrojmë, Republika e Shqipërisë është anëtare e NATO-s dhe ka nisur negociatat me BE-në bashkë me ne. Shqipëria është miku ynë dhe nuk kam fare dyshim për ndonjë qëllim të fshehtë të kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Unë e di shumë mirë, po ashtu edhe ju. Nuk mendoj se aty po krijohet ndonjë skenar antimaqedonas”, deklaroi ai.

 

Top Channel