Ministria e Punëve të Brendshme angleze Home Office thotë se është zhvilluar me sukses, fluturimi i parë për 2023, i dëbimit të shqiptarëve drejt Tiranës.
Një zëdhënës i kësaj ministrie tregoi për Top Channel se paraditen e kësaj të enjteje me një avion charter u dëbuan 16 shqiptarë’.
“Ata kishin mbërritur ilegalisht muajt e fundit pa të drejtë qëndrimi”, tha zëdhënësi Home Office.
Top Channel po ashtu ka mësuar se të dëbuarit e kësaj të enjteje janë sjellë me avionin e kompanisë Titan Airëays, e marrë me qira nga Home Office në shërbim të deportimeve.
Fluturimi i fundit Stantsted-Tiranë për vitin që lamë pas ishte më 22 Dhjetor me 42 persona të deportuar.
Sipas Daily Mail mes të deportuarve ishin 32 shqiptarë të cilët kishin vuajtur në total 89 vite burg për krime të ndryshme.
Kostoja e dëbimit të një personi sipas të dhënave botuar në mediat angleze është 8.000 stërlina. Për çdo të dëbuar drejt Tiranës janë dy roje shoqërimi në avion.
Ndërkohë në javët në vazhdim si pasojë e konsultimeve intensive mes Ministrisë së Drejtësisë angleze me ministrin shqiptarë të drejtësisë Ulsi Manja, pritet të sillen në Shqipëri për të vijuar dënimet e dhëna nga drejtësia angleze 10 shqiptarë.
Mediat angleze fundvitin e shkuar e vlerësuan këtë si një shenjë të vullnetit të mirë nga Shqipëria në zbatim të marrëveshjes dypalëshe për transferimin e të burgosurve shqiptarë. Aktualisht në burgjet angleze janë 1336 shtetas shqiptarë.
Top Channel