“Mbappe kapiten i Francës? Nuk ka profilin e duhur”, ish-fubollisti i kombëtares kundër sulmuesit

12/01/2023 09:33

Me Hugo Lloris të tërhequr nga kombëtarja e Francës, tashmë në ajër është edhe roli i kapitenit tek “Gjelat”.

Në media përflitet gjerësisht se në këtë rol, Lloris do ta pasojë Kylian Mbappe. 24-vjeçari e ka treguar shpeshherë në fushë se është lideri i Francës dhe mund ta udhëheqë skuadrën drejt sukseseve madhorë.

Por, në dyshim, të paktën nga ish-futbollisti i Francës dhe PSG, Jerome Rothen, është vendosur karakteri i Mbappe, i cili ndryshe nga Lloris nuk është edhe aq i urtë dhe mund të shkaktojë rrëmujë edhe me deklaratat në media. Sipas Rothen, është pikërisht kjo arsyeja pse trajneri Didier Deschamps nuk do ta emërojë Mbappe, të cilit i duhet ende të maturohet kur vjen puna te çështjet jashtë fushe.

“Mendoj se Mbappe si kapiten i Francës do të ishte kundër logjikës së Deschamps. Trajneri është gjithnjë shumë i matur në deklaratat e tij dhe Lloris ishte i një stili që përshtatej me të. Lloris ishte një lojtar i madh, por edhe një nga ata që dinte të ruante balancat dhe para shtypit shfaqej diplomatik.

Mendoj se Mbappe nuk do të ishte nga ata që do të përmbahej në konferencat për shtyp, pavarësisht nga dëshira e trajnerit. Mbappe bën shumë zhurmë, reagon shpejt dhe në mënyrë instiktive. Krejtësisht ndryshe nga Deschamps, ndaj mendoj se ai nuk do të zgjedhë Mbappe për shiritin e kapitenit”, u shpreh Rothen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA