Nënvarianti i ri i koronavirusit që dominon në SHBA dhe quhet “Kraken” është i pranishëm dhe në Greqi.
Organizmi Kombëtar i Shëndetit ka konfirmuar praninë e këtij nënvarianti që është përhapur me shpejtësi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas njoftimit zyrtar javor të Infeksioneve Respiratore Epidemiologjike referohen 6 rastet e para me nënvariantin e ri. Në raport thuhet se rastet e koronavirusit për javën e kaluar 02-08 janar janë në rritje, ashtu sikurse edhe numri i shtrimeve në spitale.
Janë regjistruar gjatë javës në fjalë 149 humbje jete nga koronavirusi, ndërsa numri i të intubuarve është gjithsej 128.
Përkundrazi, gjatë këtyre ditëve rastet e gripit sezonal duket se janë në rënie. Mes tyre janë regjistruar 7 raste të reja të rënda të gripit të tipit A të konfirmuara nga laboratori, si dhe 2 humbje jete.
Epidemiologët theksojnë se mbërritja e nënvariantit të ri të koronavirusit në Greqi dhe kombinimi i virozave të gripit ,mes të cilave edhe virusi respirator sinsincial, mund të sjellin në javët në vijim deri në fund të shkurtit, qindra mijëra infektime nëse nuk merren masa nga organet e shëndetit ,por edhe nga vetë qytetarët.
Shqetësimi më i madh i specialistëve të mjekësisë përballë kësaj vale virusesh, shumica me pasoja infeksionesh respiratore ,është fakti se Greqia ka gjithsej vetëm 55 shtretër për terapi intensive të fëmijëve ,prej të cilëve 32 në Athinë.
Kohët e fundit madje shumë fëmijë nga Selaniku apo Greqia e Veriut transportohen me avion në dhomat e intubimit për koronavirusin në Athinë ose në pavionet për të rritur.
Top Channel