Një godinë banimi është përfshirë nga flakët në zonën e plazhit të Durrësit pasditen e sotme, si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi.
Si pasojë e shpërthimit dhe flakëve, një fëmijë është mbyllur në tualet dhe është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për ta nxjerrë nga aty.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se një prej banorëve është dërguar në spital për shkak të asfiksisë. I asfiksuari që u dërgua në spital është një 22 vjeçar, djali i shtëpisë ku ndodhi rrjedhja e gazit.
Mësohet se zjarri ka rënë në katin e dytë të godinës, duke shkaktuar edhe dëme të shumta materiale.
Ndërkohë forcat zjarrfikëse, dy automjete dhe 6 punonjës kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për shuarjen e flakëve.
Durrës/Informacion paraprak
Rreth orës 15:20, dyshohet se për shkak të rrjedhjes së gazit nga një bombul gatimi, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit H. T., në lagjen nr. 13.
Si pasojë, është dëmtuar lehtë shtetasi F. T., 22 vjeç, i cili ndodhet në kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Top Channel