Kina ndalon dhënien e vizave për Japoninë dhe Korenë e Jugut

11/01/2023 08:29

Ambasadat kineze pezulluan të martën lëshimin e vizave për koreano-jugorët dhe japonezët, si reagim ndaj rregullave të vëna nga këto dy shtete lidhur me testet për COVID-19 për udhëtarët nga Kina.

Ambasadat në Tokio dhe Seul njoftuan pezullimet përmes njoftimeve të shkurtra në internet.

Njoftimi i postuar në llogarinë e mediave sociale “WeChat” të ambasadës kineze në Seul, thoshte se pezullimi do të vazhdojë derisa Koreja e Jugut të heqë “masat e saj diskriminuese të hyrjes” të vendosura ndaj Kinës. Sipas njoftimit, Pekini ka pezulluar viza turistike, biznesi dhe të tjera.

Ministria e Jashtme e Kinës kërcënoi javën e kaluar me kundërmasa ndaj vendeve që kishin njoftuar rregulla të reja të testimit për udhëtarët nga Kina.

Të paktën 10 vende në Evropë, Amerikën e Veriut dhe Azi kanë vënë rregulla që kërkojnë testimin për COVID-19 për udhëtarët nga Kina. Zyrtarët kanë shprehur shqetësime për mungesën e të dhënave lidhur me shpërthimin e virusit që po përhapet me shpejtësi në Kinë.

Nuk është e qartë se pse Kina vuri në shënjestër Korenë e Jugut dhe Japoninë dhe nëse Pekini do të pezullojë vizat edhe për vendet e tjera që kërkojnë testimin për COVID-19 të udhëtarëve nga ai vend.

Ambasada kineze në Tokio tha se ishte pezulluar vetëm lëshimi i vizave. Njoftimet duket se vlejnë vetëm për aplikantët e rinj, pa sqaruar ndikimin për personat që aktualisht janë të pajisur me viza.

Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut tha përmes një deklarate se hapi i qeverisë për të forcuar masat kundër përhapjes së virusit nga udhëtarët që vijnë nga Kina bazohet në prova shkencore dhe objektive.

Seuli tha se ka ndarë të dhëna me komunitetin ndërkombëtar në një mënyrë transparente dhe se ka komunikuar paraprakisht me palën kineze.

Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Japonisë ishte shprehur më herët se do të ishte për të ardhur keq nëse do të vendoseshin kufizimet. Zyrtari foli në kushte anonimiteti.

Pezullimi i vizave për sipërmarrësit nga Koreja e Jugut dhe Japonia mund të vonojë ripërtëritjen e shpresuar të aktivitetit komercial dhe mundësinë e investimeve të reja, pasi Kina hoqi papritur kufizimet anti-virus muajin e kaluar.

Grupet e biznesit kishin paralajmëruar më herët se kompanitë globale po i zhvendosnin planet e investimeve nga Kina, sepse ishte shumë e vështirë që drejtuesit e huaj të vizitonin Kinën si rezultat i masave të rrepta kundër koronavirusit në atë vend./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA