Ministria e Mbrojtjes së Britanisë në përditësimin e fundit të inteligjencës ka analizuar njoftimin për ushtrime të përbashkëta ajrore midis Rusisë dhe Bjellorusisë që do të mbahen në pjesën e dytë të janarit dhe ka minimizuar rëndësinë e prezencës së re të helikopterëve të ushtrisë ruse pranë Minskut.
Duke adresuar frikën e vazhdueshme lidhur me përhapjen e luftës në Ukrainë, inteligjenca britanike tha se dislokimi i ri i avionëve rusë në Bjellorusi, që gjendet në kufi me Ukrainën, “ka të ngjarë që të jetë vërtetë për ushtrime, sesa përgatitje për ndonjë ofensivë të re kundër Ukrainës”.
Britania foli edhe për vendosjen e helikopterëve rusë në bazën ajrore Machulishchy, afër Minskut, duke theksuar “se disa prej tyre kanë edhe simbolin ‘Z’”, që është përdorur nga forcat ruse, që kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Por, inteligjenca britanike tha se avionët rusë në Bjellorusi “ka të ngjarë që të jenë të përfshirë në trajnime” dhe se helikopterët e rinj “nuk ka të ngjarë të paraqesin një forcë të besueshme ofensive”.
Rusia ka përdorur territorin e Bjellorusisë për të nisur pushtimin e Ukrainës edhe pse lideri autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, ka tentuar që të minimizojë rolin e shtetit të tij në konflikt.
Komandanti i forcave mbrojtëse të Kievit, gjenerallejtënant Oleksiy Pavlyuk, tha më 10 janar se ushtria ukrainase po forcon pozicionet mbrojtëse në veri dhe qyteti po përgatitet për një ofensivë të mundshme nga kufiri bjellorus./Rel
Top Channel