Qeveria italiane ka vendosur të forcojë masat e kontrollit të çmimeve në pikat e karburantit për të ndalur rritjen e çmimit të karburanteve, si dhe apelon për bashkëpunim më të ngushtë mes organeve të ndryshme të administratës shtetërore për të frenuar spekulimet.
Pas një rritje prej gati 10 për qind të çmimit të një litri karburanti në javën e parë të janarit në krahasim me javën e kaluar, operatorët tani do të duhet të raportojnë çmimet e karburantit në pikat e tyre në baza ditore, vendosi Këshilli i Ministrave thuhet në një njoftim nga qeveria.
Në javën nga 1 deri më 8 janar, çmimi mesatar i karburantit në stacionet në Itali ishte 1.81 euro për litër, sipas të dhënave të qeverisë, që është një rritje prej gati 17 cent në krahasim me javën e kaluar.
Në bazë të të dhënave të marra ditore, Ministria e Sipërmarrjes do të llogarisë çmimin mesatar për litër karburant, të cilin operatorët e stacioneve do të duhet ta shfaqin së bashku me çmimin e shitjes.
Në fund të vitit 2022, qeveria subvencionoi çdo litër karburant, gjë që stabilizoi çmimet për një periudhë të gjatë kohore. Tashmë subvencionet janë hequr dhe qeveria nuk dëshiron të rinovojë masën e vendosur nga ish-kryeministri Mario Draghi.
Në vend të kësaj, qeveria vendosi të luajë kartën e transparencës dhe, sipas vëzhguesve, planifikon të përdorë masa të reja për të parandaluar spekulimet që rrisin çmimet.
Operatorët që shkelin në mënyrë të përsëritur detyrimin për paraqitjen e çmimeve do të përballen me pezullimin e biznesit nga shtatë deri në 90 ditë, sipas vendimit të qeverisë.
Kryeministrja Giorgia Meloni dhe ministrat e saj kërkojnë gjithashtu bashkëpunim më të ngushtë mes organeve të ndryshme të administratës shtetërore.
“Guardia di Finanza, e cila është përgjegjëse për krimin ekonomik, duhet të punojë me agjencinë e konkurrencës dhe mbikëqyrësin e çmimeve për të ndrydhur sjelljen spekulative”, tha Meloni.
Top Channel