Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova dëshiron normalizim të marrëdhënieve me Serbinë duke shtuar se Prishtina do të bashkëpunojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë temë.  

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë edhe partnerë edhe aleatët tonë andaj ne do të bashkëpunojmë ngushtë në mënyrë që të bëhet normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, por duhet ta kuptojmë që kemi një Serbi gjithnjë e më abnormale, pra ndërkohë që ne dëshirojmë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, ky vit që posa lamë pas është vit i abnormalizimit të mëtejshëm me Serbinë”.

Kurti tha se Serbia e ka refuzuar planin e njohur si franko gjerman ndërkohë ai e cilëson atë si një bazë të mirë për diksutim

“Plani i Bashkimit Evropian i mbështetur nga Franca, Gjermania dhe Shtetet Bashkuara të Amerikës, e kemi konsideruar si bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme ndërkohë që Serbia e ka refuzuar atë në mbledhjen e këshillit nacional të sigurisë të mbajtur në Beograd më 27 tetor të vitit 2022, konkluzion unanim i refuzimit të këtij propozimi që u bë publik nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Daçiç, i cili ka qenë përndryshe zëdhënësi i partisë së Millosheviqit. Pra ata e kanë refuzuar këtë propozim dhe tash do të duhej të gjithë të merren me ta ndërkohë që ne e kemi konsideruar si bazë të mirë për diskutim”.

Kryeministri i Kosovës tha më tej  se agresioni ushtarak në Ukrainë ka pasur pasoja edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke marrë si shembull Serbinë e cila nuk i ka vendosur sanksione Rusisë por ka bërë marrëveshje me ta.

Top Channel