OKB: Irani po përdor si “armë” dënimin me vdekje për të frikësuar popullin

10/01/2023 13:57

Irani po përdor si armë dënimin me vdekje për të frikësuar publikun dhe për të shtypur disidencën, thanë Kombet e Bashkuara.

OKB-ja tha se ekzekutimi i protestuesve pa kaluar nëpër procese të mirëfilltë gjyqësore, përbën vrasje shtetërore, të cilat janë të sanksionuara.

Teherani ka ekzekutuar katër persona në lidhje me protestat që kanë nisur pothuajse katër muaj më parë. Dy persona të pritet të ekzekutohen, teksa edhe 17 të tjerë raportohet se janë dënuar me vdekje, tha Zyra për të Drejtat e Njeriut e OKB-së.

“Procedurat penale dhe dënimet me vdekje po përdoren si armë nga Qeveria iraniane për të ndëshkuar personat që marrin pjesë në protesta, dhe synojnë që të nxisin frikë te popullsia në mënyrë që të shtypet disidenca, në shkelje të ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut”, tha shefi i Zyrës për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk.

Republika Islamike është përballur me një valë protestash që nga vdekja në paraburgim më 16 shtator e Mahsa Amini, 22 vjeçe, e cila ishte arrestuar për shkak të shkeljeve të pretenduara të veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës.

“Shndërrimi në armë i procedurave penale për të ndëshkuar njerëzit që të ushtrojnë të drejtat e tyre themelore – sikurse pjesëmarrja apo organizimi i protestave – përbën vrasje shtetërore të sanksionuar”, tha Turk.

Zyra për të Drejtat e Njeriut e OKB-së tha se ka pranuar informacione se do të ndodhin edhe dy ekzekutime, përkatësisht do të dënohen me vdekje 19-vjeçari Mohammad Boroughani dhe Mohammad Ghobadiou 22 vjeç.

“E përsëris thirrjen time që Qeveria e Iranit të respektojë jetën dhe zërin e njerëzve të saj dhe të vendosë menjëherë një moratorium sa i përket dënimeve me vdekje dhe të ndalë të gjitha ekzekutimet”, tha Turk.

Turk shtoi se Irani duhet të ndërmarrë reformat e duhura për njerëzit e tij dhe të respektojë dhe mbrojë të drejtat e njeriut./Rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA