Manchester United është hedhur në merkato për një sulmues qendre pasi aktualisht në organikën e trajnerit Erik ten Hag këtë rol mund ta mbulojë vetëm Martial me Rashford. Objektivi i “Djajve të Kuq” është Wout Weghorst, lojtar në pronësinë e Burnley dhe që aktivizohet falë formulës së huazimit tek Besiktas në Turqi.
Nëse ky transferim mbyllet me sukses atëherë Weghorst do të shndërrohej në lojtarin e tretë holandez në radhët e United pas Malacia dhe Van De Beek.
Diçka e tillë nuk është pozitive për legjendën e Holandës, Marco Van Basten i cili këshillon Ten Hag të mos krijojë një koloni holandez në Old Trafford.
“Unë mendoj se në momentin që bëhen shumë holandezë në një skuadër, atëherë mund të krijohet një situatë e rrezikshme. Këtë e pamë edhe te Barcelona, kur aty u mblodhën pesë lojtarë holandezë dhe kjo nuk i bëri mirë skuadrës. Ten Hag duhet të tregohet i kujdesshëm me këtë fakt”, u shpreh Van Basten.
Top Channel