Oficerët e policisë shoqërojnë nga salla e gjyqit drejt makinës emigrantin somalez Mohammad Hanad Abdi.
Gjykata e Apelit të ishullit Lesvos ka urdhëruar lirimin e tij, pas dënimit me 142 vjet burg në vitin 2021, me akuzën e trafikimit të qenieve njerëzore, nga Turqia drejt këtij ishulli, rreth tre vjet më parë.
Por gjatë apelimit, ku u vërtetua se emigranti somalez ishte dënuar gabimisht, dënimi i tij u ul në 8 vjet dhe gjykatësi urdhëroi lirimin e tij me kusht , duke njohur muajt që ka kaluar në burg si dhe sjelljen e mirë.
“Dënimi që ai mori sot do ta lejojë atë të lirohet me kusht në një periudhë të shkurtër nga tani. Është një fitore e vogël. Nuk mund të flasim për një fitore totale sot, por është ende një fitore e vogël, e cila na bën të gjithëve të ndihemi optimistë për të ardhmen”, u shpreh avokati mbrojtës Alexandros Georgoulis.
Somalezi Abdi, 29-vjeç, baba i katër fëmijëve, ka pohuar në gjykatë se vërtet ka drejtuar gomonen, por pasi ajo u braktis nga një trafikant turk afër brigjeve , në një moment kur barka po fuste ujë dhe dy prej 35 emigrantëve që ndodheshin në të, u mbytën. Shumë nga të mbijetuarit kanë pohuar dëshminë e emigrantit somalez.
“Nga dënim me burgim 142 vjet ai do të dalë për një muaj apo diçka më pak. Kjo është një fitore e madhe për lëvizjen e solidaritetit”, u shpreh Stelios Kouloglou, anëtar në Parlamentin Evropian.
Rasti në fjalë ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare të dënimeve të ashpra në Greqi, të prezantuara vitet e fundit si pjesë e përpjekjeve kundër emigrimit të paligjshëm në B.E.
Ndërkohë me interes të madh ndiqet nga mediat e huaja në të njëjtin ishull, edhe fillimi i gjyqit të 24 anëtareve të një grupi aktivistësh humanitarë që kanë marrë pjesë në operacionet e ndryshme të shpëtimit të emigrantëve. Seanca që u ndërpre mbrëmjen e së martës vazhdon të premten dhe aktivistët , midis tyre 7 të huaj, përballen me akuza për spiunazh dhe trafikim qeniesh njerëzore.
Top Channel