Në 2023, rëndohen taksat/ Ligji i ri, çdo vit akciza indeksohet sipas inflacionit

10/01/2023 15:24

Barra fiskale mbi qytetarët do të jetë edhe më e rëndë në vitin 2023. Kjo për shkak të një ligji miratuar nga Parlamenti dhe që ishte pjesë e Paketës Fiskale 2022, ku përcaktohet qartë se çdo vit akciza do të indeksohet me inflacionin.

Në relacion shkruhet se duke patur parasysh se inflacioni në 10 vitet e fundit është rritur mesatarisht 1.5% – 2.2%, me këtë përqindje parashikohet të rriten edhe nivelet e akcizave të mallrave.  Por, inflacioni arriti në 6,5% këtë vit dhe akciza do të rëndojë më shumë mbi qytetarët. Për ekspertët kjo është një taksë shtesë që i shtohet asaj të inflacionit, me naftën dhe produktet e tjera që do rriten nga 20 – 30 lekë

Së pari duhet vënë në pikëpyetje ekzistenca e Bordeve që ka ngirë tregun dhe ka ngritur premisa për çmime monopol. Së dyti duhen parë kompozimi i taksave që përfaqësojnë mallrat e akcizës në mënyrë që të kenë shfryrjen e duhur që të reflektojnë shfryrjen e taksës së inflacionit.

Në kushtet kur tashmë kriza energjetike nuk është se ka kaluar por ka një stabilizim me çmime më të rritura se përpara, duhen kompozuar në raport me tërësinë e barrës fiskale. Pra, nëse kemi një barrë fiskale më të shtuar atëherë kjo që merret nëpërmjet karburanteve duhet ulur në elementë të tjera të konsumit.

Të ardhurat që merren shtesë nuk shkojnë në destinacionin e duhur. Në fakt nuk ndodh ashtu sepse buxheti ka vendosur prioritet e veta dhe pjesa më e madhe shkon për projektet e infrastrukturës dhe më pak për pjesën sociale.”- shprehet eksperti Eduart Gjokutaj.

Në 2022 Buxheti i shtetit mblodhi 56,4 miliardë lekë nga akciza, ndërsa në relacionin e buxhetit 2023, qeveria pritet të mbledhë 4 miliardë lekë ose 7,3% më shumë. Si faktorë për këtë rritje Ministria arsyeton se do jenë rritja e fortë e importit të karburanteve, por kjo duket e pabazuar në kushtet kur këtë vit, karburantet shënuan rënie në sasi me 100 mijë ton. Këto para shtesë nga akciza kryesisht do merren nga unifikimi i akcizës për gazin, birrën si dhe indeksimin e fortë me inflacionin.

Top Channel