NATO-BE, firmoset deklarata: Do forcohet siguria e Europës dhe ajo euroatlantike!

10/01/2023 15:17

NATO-ja dhe BE-ja zotohen ta cojnë në një nivel tjetër bashkëpunimin mes tyre, në mesin e kërcënimeve gjeopolitike në rritje me të cilat përballen të dyja organizatat e rëndësishme.

Blloku 27 anëtarësh dhe aleanca ushtarake 30 vendëshe, punojnë aktualisht së bashku për çështje të tilla si kundërterrorizmi dhe kërcënimet kibernetike.

Por pushtimi i Ukrainës nga Rusia, si dhe planet e Suedisë dhe Finlandës për t’u bashkuar me NATO-n, janë kthyer në shtysën e një forcimi të mëtejshëm të lidhjeve mes këtyre dy institucioneve. Deklarata u nënshkrua nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

“Deklarata e tretë e NATO-s dhe BE-së për bashkëpunim strategjik, është më e rëndësishme se kurrë më parë, duke pasur parasysh sfidat me të cilat përballet aleanca ushtarake perëndimore, sidomos pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. Duhet të ruhet uniteti i botës së lirë demokratike përballë kërcënimeve të Moskës. Presidenti rus, Vladimir Putin, deshi ta pushtojë Ukrainën brenda ditës dhe neve të na përçante. Në të dyja këto dështoi. Ne duhet të vazhdojmë të forcojmë sigurinë euroatlantike dhe sigurinë e Europës”, tha Stolenberg.

Përveç Rusisë , që e nisi pushtimin e Ukrainës në 24 shkurt 2022, Stoltenberg përmendi edhe Kinën si sfidë për sigurinë e përbashkët të NATO-s dhe BE-së. Deklarata për bashkëpunim strategjik konfirmon rolin kyç të NATO-s si shtyllë e sigurisë kolektive euroatlantike, por edhe nevojën për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Bashkimit Evropian.

Ky dokument po ashtu kërkon më shumë bashkëpunim mes dy institucioneve për t’u përballur me sfidat e reja, sulmet kibernetike, manipulimet informative, terrorizmin e deri te katastrofat natyrore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA