Urdhri i Itamar Ben-Gvir vjen pas një seri masash ndëshkuese ndaj palestinezëve, që prej ardhjes në pushtet të qeverisë se re radikale në Izrael.
Ministri i sigurisë ka urdhëruar ndalimin flamurëve palestinezë nga vendet publike vetëm një muaj pas ardhjes në post.
“Sot urdhërova policinë e Izraelit të zbatojë ndalimin e ngritjes në publik të flamurit palestinez të Organizatës së Çlirimit të Palestinës, që identifikohet me një organizatë terroriste, për të ndaluar nxitje kundër shtetit të Izraelit,” shkruante Ben-Gvir në rrjetet sociale.
Qeveria e re e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu po lëviz shpejt kundër palestinezëve në kundërpërgjigje të masës palestineze për gjykimin e pushtimit të Izraelit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, çka u pranua muajin e kaluar.
Tel Avivi ka devijuar gjithashtu $40 milionë të ardhura nga taksat palestineze duke thënë se ato do t’ua kalojë viktimave të sulmeve nga militantët palestinezë, ndërsa ka ndaluar një takim të rregullt të prindërve palestineze ku ata diskutojnë për arsimin e fëmijëve.
Ben-Gvir, radikal i djathtë i njohur për retorikën anti-arabe, tërhoqi kritika ndërkombëtare javës që shkoi kur vizitoi një nga vendet më të shenjta në Jeruzalem, çka konsiderohet si një provokim ndaj palestinezëve.
Urdhri i fudit i Ben-Gvir nuk është i pari kundër flamurit palestinez.
Flamuri i kuq, i gjelbër e i bardhë i Palestinës ka simbolikë të fortë të konfliktit të rëndë. Në maj mbajtësit e arkivolit në funeralin e gazetares me origjinë palestineze Shireen Abu Akleh, e vrarë gjatë një aksioni të ushtrisë në Xhenin, u rrahën me shkopinj nga ushtarët izraelitë dhe flamurët palestinezë iu morën nga duart.
Netanyahu tha dje në kabinet se masat kundër palestinezëve vijnë pas asaj që ai quante “hap ekstrem anti-izraelit” në gjykatën e OKB.
Palestinezët përbëjnë rreth 20% të banoreve te Izraelit sipas britanikes The Guardian, teksa qe prej 1948, qindra mijëra palestinezë janë dëbuar nga tokat e tyre për krijimin e shtetit të Izraelit.
Ata që mbetën aty, janë bërë qytetarë izraelitë por shihen me dyshim prej lidhjeve të tyre me palestinezët në Bregun Perëndimor, në Rripin e Gazës dhe në Jeruzalemin Lindor, vende të cilat Izraeli i mban të pushtuara që prej luftës së vitit 1967.
Palestinezët në këto zona kërkojnë të kenë shtetin e tyre të ardhshëm, por qeveria e Netanyahu dominohet nga radikalë që kundërshtojnë krijimin e shtetit të Palestinës.//TheGuardian//
Top Channel