Mësuesja e klasës së parë e qëlluar me armë zjarri në Virginia nga një nxënës 6-vjecar, po tentonte t’i konfiskonte armën kur fëmija tërhoqi fatalisht këmbëzën.
Brittaney Gregory, nëna e një tjetër nxënësi që ndodhej në klasë tha sot për rrjetin Washington Post: “Ajo donte të konfiskonte armën — dhe aty u qëllua”.
25 vjeçarja Abby Zwerner, u qëllua pasditen e të premtes në shkollën fillore Richneck Elementary në Newport dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë por të stabilizuar në spitalin Riverside Regional, shkruajnë mediat vendore.
Mësuesja është vlerësuar si një hero teksa paralajmëroi nxënësit e tjerë të dilnin kur nisën të shtënat.
Nxënësi 6-vjecar është ndaluar pas incidentit shokues, për të cilin zyrtari vendas i policisë Steve Dreë tha se nuk ishte aksidental por kishte ardhur pas një zënke.
Nuk është e qartë përse kishte nisur konflikti apo sesi djali ishte vënë në zotërim të armës.
Gregory tregonte sipas fjalëve të të birit se mësuesja i kishte thënë fëmijëve të largohen dhe ata hynë në një tjetër klasë dhe mbyllën derën.
Nëna shtonte se Zwerner ishte mësuesja e preferuar e djalit të tij, i cili është ende i tronditur nga ngjarja.
“Ai normalisht fle në dhomën e tij por pas të shtënave vjen në dhomën time dhe nganjëherë flet në gjumë”.
Një tjetër nxënës ka përshkruar momentet e tmerrit pak pas ngjarjes.
“Ne po bënim matematikë … kur erdhi dikush që tha, ‘Mbylluni brenda, mbylluni brenda,’” tregon nxënësi i klasë së pestë Novah Jones, i cili ishte në një klasë tjetër, sipas rrjetit CNN.
Top Channel