Një ditë pasi mijëra mbështetës të tij mësynë Institucionet Qeveritare në kryeqytetin e Brazilit, ish presidenti Jair Bolsonaro është shtruar në një spital pranë Orlandos ne Florida, e pohuar kjo nga bashkëshortja e tij.
Bolsonaro është goditur me thikë në 2018-tën, dhe që prej atëherë, ka vuajtur vazhdimisht nga probleme të mëdha me barkun. Duke cituar burime të afërta me familjen e tij megjithatë, Reuters thotë se gjendja e ish kreut të shtetit nuk është shqetësuese.
Bolsonaro u largua nga Brazili drejt SHBA-së rreth 10 ditë më parë. Ai refuzoi të merrte pjesë në dorëzimin e pushtetit Presidentit Luiz Inácio Lula da Silva javën e kaluar.
Kaosi pushtoi kryeqytetin Brazilia ku 1.500 vetë kanë përfunduar në pranga e dhjetëra të tjerë janë plagosur pasi mijëra mbështetës të tij zbritën në rrugë në atë që u përshkrua si një prej goditjeve më të ashpra ndaj demokracisë ne kete shtet në 38 vite që prej fundit të diktaturës ushtarake.
Protestuesit nuk pranojnë rezultatin e zgjedhjeve që i shkulën Bolsonaros pushtetin, e pretendojnë pa argumente, se votat janë vjedhur. Ata kërkojnë rikthimin e tij në detyrë, e madje kanë bërë thirrje edhe për një grusht shteti të ushtrisë.
Sulmi në ndërtesat e qeverisë braziliane është i ngjashëm me sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitolin e SHBA-së, në Uashington. Megjithatë, ndryshe nga Uashingtoni, ku ligjvënësit ishin brenda ndërtesës më 6 janar, objektet shtetërore në Brasilia, ishin kryesisht bosh.
Top Channel