Kthimi iforcave serbe në Kosovë/ Vuçiç: KFOR-i tha ‘JO’

08/01/2023 19:17

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha të dielën se forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, refuzuan kërkesën e tij për kthimin e rreth një mijë trupave të forcave serbe të sigurisë në Kosovë.

Ai i bëri këto komente në një intervistë për televizionin proqeveritar “TV Pink”, në Beograd dy ditë pasi KFOR-i u dorëzoi autoriteteve serbe përgjigjen në kërkesën e tyre të mesit të dhjetorit.

KFOR-i tha Zërit të Amerikës se përgjigja është dorëzuar por “nuk hyjmë në hollësitë e korrespondencës së NATO-s. KFOR-i mbetet syçelë dhe plotësisht i aftë për të përmbushur mandatin e tij të dhënë nga OKB-ja”, thuhet në përgjigje.

Presidenti serb tha ndërkaq të dielën se ‘në letrën e tyre të hartuar me kujdes drejtuar qeverisë së Serbisë, të cilën e kam marrë edhe unë, ata janë përgjigjur se besojnë që nuk ka nevojë për kthimin e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës, duke iu referuar Rezolutës 1244 (të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

Beogradi i referohet Rezolutës 1244 të vitit 1999 në të cilën parashihej kthimi i një numri të personelit ushtarak dhe policor jugosllav për të kryer disa funksione si “ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimin/pastrimi i fushave të minuara; mbajtjen e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtjen e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare”.

Kosova në atë kohë cilësohej pjesë e asaj që kishte mbetur nga ish Jugosllavia. Nëntë vjet pas miratimit të Rezolutës 1244, Kosova shpalli pavarësinë e saj që njihet nga vendet kryesore perëndimore, por kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Kërkesa serbe u bë mes tensionesh në veriun e Kosovës, ku për rreth tri javë ne radhë grupe qytetarësh serbë mbajtën të të bllokuara rrugët kryesore në shenjë proteste ndaj arrestimit të një ish polici serb nën dyshimet për sulm ndaj autoriteteve. Bllokadat u larguan më 29 dhjetor pasi ish polici u dërgua në arrest shtëpie.

Presidenti serb tha se në Beograd po diskutohet nëse duhet që për këtë çështje të kërkohet diskutim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por nënvizoi që nëse ndodhë kjo Serbia do të mbështetej nga Rusia, por rezultati do të ishte konfirmimi i vendimit të KFOR-it.

“Çfarë do të bëjmë pas asaj seance, ta lëmë (kryeministrin e Kosovës, Albin) Kurti, të komentojë se si e refuzoi edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së?”, tha ai, duke ju referuar kërkesës së vitit 2010 për mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë lidhur me pavarësinë e Kosovës e cila shpalli se ajo nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Presidenti serb tha se para Serbisë ndodhet “periudhë e vështirë”, ndërsa akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për krijimin një atmosfere të rëndë në Kosovë si pasojë e së cilës tha ai “ndodhi edhe plagosja e dy të rinjve serbë” në komunën e Shtërpcës në Kosovën jugore.

Top Channel