“Tani nis puna e vështirë!”, Kevin McCarthy zgjidhet kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve

07/01/2023 08:05

Udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy është zgjedhur kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve pas 15 raundeve.

McCarthy mori 216 dhe Hakeem Jeffries i demokratëve mori 212 nga 428 vota të hedhura.

Votimi nisi të premten mbrëma dhe përfundoi herët në mëngjesin e së shtunës.

“Kjo ishte e lehtë, apo jo?”, tha ai mes të qeshurave, “nuk e kisha menduar kurrë se do të ishim këtu”.

Kryetari i zgjedhur tha se dëshiron që SHBA-ja të fitojë në konkurrencën ekonomike me Kinën.

Në fjalimin e tij të parë si kryetar, McCarthy tha: Ne do të trajtojmë gjithashtu sfidat afatgjata të Amerikës, borxhin dhe ngritjen e partisë komuniste kineze.

 “Sa i përket partisë komuniste kineze, ne do të krijojmë një komitet të përzgjedhur dypartiak për Kinën për të hetuar se si të rikthehen qindra mijëra vende pune që shkuan në Kinë dhe më pas do të fitojmë këtë konkurs ekonomik”, shtoi ai.

“Tani fillon puna e vështirë”, iu drejtua ai deputetëve.

“Ajo që ne bëjmë këtu sot, javën tjetër, muajin tjetër, vitin e ardhshëm, do të vendosë për gjithçka që vijon”, shtoi ai.

McCarthy gjithashtu kritikoi duke theksuar se duhet “biseduar drejtpërdrejt me popullin amerikan”.

“Si kryetar i Dhomës, përgjegjësia ime përfundimtare nuk është ndaj partisë sime, konferencës sime, apo edhe Kongresit tonë“, tha McCarthy.

“Përgjegjësia ime, përgjegjësia jonë është ndaj vendit tonë”.

Projektligji i parë i shqyrtuar nga Dhoma e re e Përfaqësuesve do të adresojë një iniciativë të administratës Biden për të punësuar agjentë shtesë të IRS gjatë një periudhe 10-vjeçare, tha kryetari Kevin McCarthy të shtunën në mëngjes, sipas CNN.

“E di që nata është vonë, por kur të kthehemi, projektligji ynë i parë do të shfuqizojë fondet për 87,000 agjentë të rinj të IRS”, tha ai mes duartrokitjeve nga grupi republikan.  “E shihni, ne besojmë se qeveria duhet t’ju ndihmojë, jo t’ju ndjekë.”

Kujtojmë se Komiteti  Kombëtar Republikan  dhe disa ligjvënës republikanë kanë kritikuar financimin e ri të IRS, duke pretenduar se do t’i sigurojë agjencisë një “ushtri prej 87,000 agjentësh të rinj të IRS”. Departamenti i  Thesarit vlerësoi  në vitin 2021 se një investim prej afro 80 miliardë dollarësh në IRS mund të lejojë agjencinë të punësojë 86,852 punonjës me kohë të plotë gjatë një dekade. Por kjo shifër llogaritet për të gjithë punëtorët, jo vetëm agjentët e zbatimit.

FOTO GALERI
1/16

Top Channel