Marrja e nënshtetësisë gjermane, tani do të jetë më e lehtë: një nga pengesat e mëdha ishte kërkesa për dorëzimin e nënshtetësisë së origjinës për qytetarët jashtë BE-së, por kjo rregullore do të shfuziqohet.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Nancy Faeser e bëri të qartë se kush dëshiron të bëhet shtetas gjerman, nuk do të duhet të dorëzojë patjetër nënshtetësinë e vendit të origjinës, e kjo është parashikuar dhe në draftin e ligjit të dorëzuar tashmë dikastereve të tjera të qeverisë gjermane për miratim.

Qëllimet e parashtruara në marrëveshjen e koalicionit qeveriat gjerman të vitit 2021 për një “të drejtë moderne të nënshtetësisë”, lehtësojnë po ashtu rregulloren për kushtin e gjuhës gjermane për grupe të caktuara që duan të marrin nënshtetësinë gjermane.

Krahas kësaj do të shkurtohet koha minimale që duhet respektuar para shtrimit të kërkesës për nënshtetësinë gjermane.

Në projektligj, që e ka në dorë agjencia gjermane e lajmeve, DPA, thuhet se lehtësimet për vërtetimin e njohjes së gjuhës gjermane dhe detyrimi për testin e nënshtetësisë do të hiqen për të gjithë të huajt që janë të paktën 67 vjeç.

Nga lehtësimet do të përfitojnë jo vetëm të moshuarit, që erdhën me marrëveshjen e atëhershme të punësimit, por të gjithë ata që janë pjesë e kësaj grupmoshe.

Për më të rinjtë që duan të marrin nënshtetësinë gjermane do të ketë edhe raste përjashtuese, si rasti i vështirësisë së veçantë për kujdesin shëndetësor të një anëtari të familjes.

Sipas planeve, nënshtetësia do mund të kërkohet edhe 5 vjet pas qëndrimit të rregullt në Gjermani, në një kohë kur deri tani, aplikuesit duhet të prisnin 8 vjet. Ndërsa në raste të veçanta të arritjeve të shpejta integruese në Gjermani, arritje të shkëlqyera në shkollë apo profesion, angazhim vullnetar apo njohuri perfekte të gjuhës, do të mjaftojnë tre vjet për paraqitjen e kërkesës.

Top Channel