Prej orëve të para të mëngjesit ishulli i Lesvos nuk gjen qetësi nga lëkundjet sizmike.
Pak para orës 4 të mëngjesit është regjistruar një tërmet i fuqishëm 4.9 ballë shkalla Rihter dhe është ndjerë në të gjithë ishullin duke shkaktuar shqetësim tek banorët.
Epiqendra e tij sipas Institutit Gjeodinamik të Athinës ishte katër kilometra në veriperëndim të Mandamados, në zonën e Lepetymnos, 268 kilometra në verilindje të Athinës dhe kishte një thellësi prej 17.5 kilometrash.
Por sipas Qendrës Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare (EMSC), tërmeti ishte me magnitudë 5 ballë të shkallës Rihter dhe epiqendra e tij ndodhej 130 kilometra në veriperëndim të Izmirit ose 14 kilometra në veri të Agia Paraskevi, në Lesvo.
Pasuan dhjetëra lëkundje të tjera dhe më e fuqishmja prej 4.7 ballë shkalla Rihter u regjistrua thuajse në të njëjtë zonë në orën 8,38 minuta të mëngjesit.
Sipas organeve vendore janë raportuar dëme të vogla në disa shtëpi në fshatrat e kësaj zone në veri të ishullit ,ndërsa ka pasur edhe disa rrëshqitje dheu apo shkëmbinjsh në rrugët që lidhin këto fshatra.
Sizmologu dhe drejtori kërkimor i Institutit Gjeodinamik të Athinës Gerasimos Chouliaras, ka deklaruar se prej orës 01:30 të mëngjesit janë regjistruar dhjetëra tërmete dhe se po monitorohet fenomeni me vëmendje të veçantë prej specialistëve.
Top Channel