Shtetet e Bashkuara po përpiqen të rifitojnë pozicionin si qendër e prodhimit të mikroprocesorëve, në kuadër të planit të administratës së Presidentit Biden për ta bërë vendin më pak të varur nga zinxhirët e furnizimit në Azi. Gazetarja e Zërit të Amerikës Michelle Quinn njofton nga shteti jugperëndimor i Arizonës mbi konkurrencën e kompanive për të përfituar nga miliarda dollarët e buxhetit federal që synojnë rritjen e prodhimin vendas të mikroprocesorëve.
Këta vinça po ndërtojnë të ardhmen e Arizonës. Në veri të qendrës së Feniksit, kompania gjigande tajvaneze e mikroprocesorëve TSMC po ndërton një fabrikë të re.
Vendimi i kompanisë për të ndërtuar në Arizona vjen ndërsa vendimmarrësit amerikanë po punojnë për të forcuar industrinë vendase të mikroprocesorëve, duke vënë në dispozicion 54 miliardë dollarë financime përmes ligjit të firmosur nga Presidenti Biden në gusht të këtij viti, i njohur si Akti për Mirkroprocesorët dhe Shkencën.
Drejtuesit lokalë duan punë dhe aktivitet ekonomik. Politikëbërësit duan që pjesët kryesore të zinxhirit të furnizimit të mikroprocesorëve të prodhohen në SHBA për arsye ekonomike dhe të sigurisë kombëtare.
Universiteti Shtetëror i Arizonës ka aplikuar për një fond tjetër, shtesë prej 2 miliardë dollarësh, të Departamentit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara që synon zhvillimin e aftësive mikroelektronike.
“Ne duhet të krijojmë pavarësi për prodhimin e pjesëve kryesore të kësaj superfuqie ekonomike, për të ndihmuar të ardhmen e ekonomisë së vendit”, thotë Michael Crow, President i Universitetit Shtetëror të Arizonës.
Për dekada, kompanitë teknologjike amerikane janë mbështetur në Azinë Lindore për prodhimin e mikroprocesorëve. Ka disa arsye që fabrikat ishin zhvendosur në Azi, një prej tyre, kostoja e prodhimit.
Ndërtimi i një fabrike në SHBA ka një kosto 30% më të lartë se ndërtimi i një të tille në Azi. Udhëheqësit e Arizonës thonë se Akti për Mirkroprocesorët dhe Shkencën mund të ndihmojë për kompensimin e kësaj kostoje shtesë.
Sandra Watson, Drejtore ekzekutive e Agjencisë së Zhvillimit Ekonomik të Arizonës vizitoi Tajvanin në fillim të këtij viti për ta kthyer Arizonën në qendër të furnizuesve të firmës TSMC. 6 furnizues janë zhvendosur tashmë në Arizona.
“Ne po punojmë me dhjetëra furnizues të tjerë nga Tajvani, por ne po shohim kompani nga e gjithë bota, që duan të zhvillojnë aktivitetin e tyre këtu në Arizona”, thotë ajo.
Edhe nëse prodhuesit dhe furnizuesit e mikroprocesorëve vendosen të gjithë në Arizonë, krijimi i një ekosistemi të plotë të mikroprocesorëve brenda SHBA-së do të jetë një sfidë jo e lehtë.
Pjesët kritike të zinxhirit të furnizimit të tyre janë ende jashtë vendit, thotë Chris Camacho, nga Këshilli Ekonomik i qytetit.
“Sot shumica e prodhimit të ambalazhit, silikonit apo komponentëve të tjerë që hyjnë në ekosistemin më të gjerë, kryhet jashtë vendit. Qëllimi ynë është që prodhimi të kryhet në Shtetet e Bashkuara”, thotë ai.
Nga shtetet më të mëdha për prodhimin e mikroprocesorëve, Arizona renditet i kartërti për sa i përket vendeve të punës, pas Kalifornisë, Oregonit dhe Teksasit.
Vendimi i firmës TSMC për të ardhur në Arizona, i kombinuar me zgjerimin e kampusit të gjigandit teknologjik Intel, rreth 45 kilometra në juglindje të Feniksit, ka kthyer Arizonën në një shtet tërheqës për firmat teknologjike.
Prodhimi i mikroprocesorëve kërkon vakum industrial për të lëvizur dhe trajtuar kimikatet dhe kompania ndërkombëtare Edwards Vacuum po ndërton një objekt prej 19 mijë metrash katrorë.
“Kjo kthen në vepër vendosmërinë e kompanisë Eduards, për të kthyer prodhimin në SHBA, për angazhimin tonë që të jemi pranë klientëve, sikur të ishim në oborrin e tyre”, thotë Najwa Khazal nga “Edwards Vacuum”
Një oborr që po mbushet me mikroprocesorë.
Top Channel