Zbulimi i Reuters: Hakerat rusë shënjestruan shkencëtarët bërthamorë amerikanë

06/01/2023 22:30

Një ekip hakerash rus i njohur si Cold River shënjestroi tre laboratorë kërkimi bërthamor në Shtetet e Bashkuara verën e kaluar, sipas të dhënave të shqyrtuara nga Reuters dhe pesë ekspertë të sigurisë kibernetike.

Midis gushtit dhe shtatorit, ndërsa Presidenti Vladimir Putin tregoi se Rusia do të ishte e gatshme të përdorte armë bërthamore për të mbrojtur territorin e saj, Cold River shënjestroi Laboratorët e Brookhaven (BNL), Argonne (ANL) dhe Lawrence Livermore (LLNL), duke u dërguar e-mail shkencëtarëve amerikanë në një përpjekje që të vidhnin fjalëkalimet e tyre.

Reuters thotë se nuk ishte në gjendje të përcaktonte pse laboratorët ishin në shënjestër ose nëse ndonjë përpjekje për ndërhyrje ishte e suksesshme, ndërsa pyetjet që ata iu kanë bërë institucioneve përkatëse nuk kanë marrë përgjigje.

Cold River ka përshkallëzuar fushatën e saj të hakerimit kundër aleatëve të Kievit që nga pushtimi i Ukrainës, sipas studiuesve të sigurisë kibernetike dhe zyrtarëve të qeverisë perëndimore. sulmi digjital kundër laboratorëve amerikanë ndodhi ndërsa ekspertët e OKB-së hynë në territorin ukrainas të kontrolluar nga Rusia për të inspektuar termocentralin më të madh atomik në Evropë dhe për të vlerësuar rrezikun e asaj që të dyja palët thanë se mund të ishte një katastrofë shkatërruese rrezatimi mes bombardimeve të rënda aty pranë.

Cold River, është përfshirë në dhjetëra incidente të tjera të profilit të lartë hakerimi në vitet e fundit, sipas intervistave me nëntë firma të sigurisë kibernetike.

Zyrtarët perëndimorë thonë se qeveria ruse është një lider global për sa i përket hakerimit dhe përdor spiunazhin kibernetik kundër qeverive dhe industrive të huaja.

Top Channel