Fluks i lartë udhëtarësh në Portin e Durrësit/ 60 mijë pasagjerë vetëm në dhjetor, nisin lundrimet e dyfishta të trageteve

06/01/2023 13:06
Foto ilustruese

Rreth 60,000 pasagjerë dhe 20,422 automjete kanë udhëtuar nga dhe drejt portit të Durrësit përgjatë muajit dhjetor 2022. Ndërkohë në 5 ditët e para të këtij viti janë larguar drejt Italisë 10,650 persona.

Vetëm një ditë më parë u larguan nga ky port 4,075 udhëtarë dhe 1,081 mjete.

Referuar të dhënave zyrtare të Autoritetit Portual Durrës, gjatë muajit dhjetor, tragetet e linjës Durrës-Bari dhe Durrës-Ankona kanë sjellë në vendin tone mbi 42,530 pasagjerë ndërkohë që 16,500 udhëtarë kanë zgjedhur lundrimin me traget drejt porteve të Italisë.

Një rritje e konsiderueshme e këtyre volumeve është reflektuar veçanërisht gjatë dy javëve të fundit të muajit dhjetor të cilat kanë rikthyer për festat e fundvitit me mijëra bashkëatdhetarë në vend nëpërmjet portit më të madh detar, atij të Durrësit.

Po të njëjtat burime saktësojnë se rritje e ndjeshme e volumeve të përpunimit të pasagjerëve pasqyrohet edhe në raport me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës ku kanë lundruar me tragete rreth 50,350 pasagjerë në total duke shfaqur kështu një rritje me rreth 8,670 udhëtarë më shumë gjatë dhjetorit 2022.

Përgjatë kësaj periudhe një mujore rritja është reflektuar dhe në numrin e automjeteve, trailerave dhe kamionëve të përpunuar në Terminalin e Trageteve ku numërohen rreth 13,475 automjete dhe 6,950 kamiona dhe trailerë.

Ndërkohë nga data 5 janar ka nisur edhe fillimi i lundrimeve të dyfishta të trageteve për këtë vit i cili do të jetë në funksion të fluksit të udhëtarëve të përqëndruar tashmë në dalje nga pika kufitare kryesore e transportit detar në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA