Seuli e pranon se një dron verikorean hyri në zonën e ndalim-fluturimit

05/01/2023 11:39

Ushtria e Koresë së Jugut konfirmoi se një dron i Koresë së Veriut ka hyrë në zonën e ndalim-fluturimit rreth zyrës presidenciale.

Ky është një inkursion i rrallë që ndodhi muajin e kaluar, por që ishte mohuar nga zyrtarët.

Tensionet në Gadishullin Korean u rritën vitin e kaluar, teksa Koreja e Veriut kreu teste të armëve pothuajse çdo muaj, përfshirë edhe testimin e raketës balistike ndërkontinentale më të avancuar deri më tani.

Penjani më 26 dhjetor dërgoi pesë dronë në hapësirën ajrore të Koresë së Jugut. Ky ishte incidenti i parë i këtij lloji në pesë vjet, duke shtyrë Seulin që të kundërpërgjigjej duke ngritur në qiell avionët luftarakë.

Ushtria e Koresë së Jugut veçse ka kërkuar falje, pasi dështoi që të rrëzonte dronët, pavarësisht se zhvilloi një operacion prej pesë orësh. Ushtria jugkoreane u arsyetua se dronët “ishin shumë të vegjël”, prandaj nuk mundi që t’i rrëzonte.

Ushtria jugkoreane vazhdimisht kishte mohuar raportimet se dronët kishin hyrë në zonën kyçe të ndalim-fluturimit, të njohur si P-73, që përfshin qiejt mbi zyrën presidenciale të Koresë së Jugut.

Një zyrtar i ushtrisë tha se hetimi ka gjetur se “një dron i armikut” ka kaluar mbi pjesën veriore të zonës së ndalim-fluturimit.

Megjithatë, javën e kaluar, ushtria jugkoreane tha se Veriu “nuk ka arritur të marrë informacione të rëndësishme” përmes inkursionit me dronë.

Gjatë vitit 2022, Koreja e Veriut raportohet se ka testuar mbi 70 raketa, përfshirë edhe një raketë që kishte flutuar mbi Japoni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA