Edi Rama mori rolin e një profesori këtë fillim vit të ri  politik dhe thirri në apel ministrat e tij për të dhënë llogari për detyrat e realizuara përgjatë  vitit të shkuar dhe  dhe ato të mbartura për vitin 2023. 

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Ballaku duket se ka pasur provim jo të lehtë pasi projektet e dikasterit që ajo mbulon kaluan në skaner të hollësishëm, përfshirë  edhe koncesionet të cilat jo pak herë janë vënë në akuzë publike si korruptive sikurse është rasti i segmentit Lekaj-Fier, apo projekti Kashar-Thumanë i kundërshtuar nga banorët e zonës me protesta.

I kënaqur Rama u shfaq me performancën e Ministrisë së Turizmit, ndërkohë notë të shkëlqyer i vendosi edhe ministres së Bujqësisë Frida Krifca, megjithëse ajo është përballur përgjatë vitit që lamë pas  me kritikat të forta, jo vetëm të fermereve por edhe te deputetit rebel Erion Braçe.

“2022 jo vetëm rekord absolut i eksporteve bujqësore, po edhe realizim i objektivit ambicioz për gjysmë miliardë USD dhe pastaj disa që fshatin e shohin vetëm me dylbitë e mediave thonë ka vdekur bujqësia”, shkruan Rama.

Kryeministri vendosi të ndajë me publikun vetëm sukseset e kabinetit, ndërkohë vërejtjet mbetën brenda dyerve te vilës qeveritare. Në objektivat e 2023  parashikohen edhe ndërtimi i tre stadiumeve të reja në Durrës, Vlorë dhe Korçë. Por para se të trokasë pranvera, socialistët duhet të përveshin mëngët për zgjedhjet lokale.

Për këtë qëllim, mbledhja maratonë me ministrat do të pasohet nga një tjetër takim, ai me drejtuesit politik  për të ndezur motorët për betejën e 14 majit. Socialistët nuk e kanë gati ende skuadrën ku mësohet se krahas emrave të rinj, do ketë rikonfirmim të emrave në gjysmën e bashkive.

 

 

Top Channel