Putin: Dialog me Ukrainën nëse pranon humbjen e territoreve

05/01/2023 16:41

Presidenti Vladimir Putin i tha homologut turk Rexhep Tayyip Erdogan përmes një bisede telefonike të enjten, se Rusia ishte e hapur për dialog me Ukrainën, por Kievi duhet të pranojë humbjen e territoreve që i ka fituar (ankesuar) Rusia, sipas një njoftimi të Kremlinit.

Kremlini njoftoi se “Vladimir Putin rikonfirmoi se Rusia është e hapur për dialog, por autoritetet e Kievit duhet të plotësojnë kërkesat e njohura dhe të pranojë realitetin e ri në terren”.

Po ashtu, sipas Kremlinit, “zoti Putin vuri në dukje rolin e dëmshëm të Perëndimit, që ka furnizuar me armë dhe i ka siguruar informacion Kievit”.

Presidenca turke, njoftoi se zoti Erdogan i tha homologut Putin gjatë telefonatës se përpjekjet për paqe në luftën Rusi-Ukrainë duhet të mbështeteshin me armëpushim dhe “vizioni për një zgjidhje të drejtë”.

Zoti Erdogan dhe zoti Putin kanë komunikuar vazhdimisht që pas sulmit të forcave ruse kundër Ukrainës në muajin shkurt. Turqia luajti rol ndërmjetësues mes Rusisë dhe Kombeve të Bashkuara për marrëveshjen për eksportin e grurit nga portet ukrainase.

Dy presidentët diskutuan gjithashty edhe rreth një sërë çështjesh mbi sektorin energjitik, përfshirë ndërtimin e një pike shpërndarjeje gazi në Turqi si edhe ndërtimin e një centrali bërthamor në Akkuyu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA