Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino shprehu mbështetjen e tij për dy lojtarët e Leçes, ndaj të cilëve u ushtrua dhunë raciste në një ndeshje të Serisë A italiane të mërkurën, duke u bërë thirrje tifozëve që “t’u mbyllin gojën të gjithë racistëve”.
Gjatë ndeshjes mes Leçes dhe Lazios në divizionin e lartë të Italisë, mbrojtësi francez Samuel Umtiti dhe sulmuesi zambian Lameck Banda u nënshtruan abuzimeve raciste.
Nën një postim në Instagram me foto të dy lojtarëve, Infantino shkroi: “Solidaritet me Samuel Umtiti dhe Lameck Banda, le ta bërtasim me zë të lartë dhe qartë: JO RACIZMIT!
View this post on Instagram
“Shumica e madhe e fansave, të cilët janë njerëz të mirë, le të ngrihen për të mbyllur gojën njëherë e përgjithmonë të gjithë racistëve”, shtoi presidenti.
Një postim në Twitter i postuar nga llogaria zyrtare e Leçes pas ndeshjes shkruhej: “Këngët raciste u mbytën nga ato inkurajuese. Të gjithë tifozët e Leçes filluan të bërtasin një emër – Samuel Umtiti.”
Vetë Umtiti i është përgjigjur postimit të Infantinos në internet duke shkruar: “Vetëm futboll, kënaqësi dhe gëzim. Pjesa tjetër nuk ka rëndësi.”
Në përgjigje të CNN, Serie A tha: “Liga dënon gjithmonë të gjitha format e diskriminimit në futboll, e njëjta gjë do të bëjë edhe për episodin e djeshëm”.
Sipas raportimeve të mediave italiane, Umtiti u përlot në fund të ndeshjes pasi skuadra e tij fitoi 2-1.
Top Channel