Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar ministrin e tij të mbrojtjes të vendosë një armëpushim 36-orësh në vijën e frontit të Ukrainës nga e premtja
Armëpushimi, i planifikuar të fillojë në orën 12:00 me orën e Moskës (09:00 GMT), do të përkojë me Krishtlindjet Ortodokse ruse, sipas BBC.
Putin i kërkoi Ukrainës që të përgjigjet, por Kievi e refuzoi shpejt kërkesën.
Këshilltari i presidentit ukrainas, Mykhailo Podolyak tha: Mbajeni hipokrizinë për veten tuaj!
Deklarata e Kremlinit theksonte se Putin urdhëroi trupat e tij të ndalonin luftimet, jo sepse ai po ngadalësohej, por sepse ai kishte dëgjuar një thirrje nga kreu i Kishës Ortodokse Ruse.
Patriarku Kirill, më herët gjatë ditës, kishte bërë thirrje për një armëpushim për të lejuar besimtarët të merrnin pjesë në shërbimet e kishës për Krishtlindjet Ortodokse.
Kisha Ortodokse Ruse feston ditën e Krishtlindjes më 7 janar, sipas kalendarit Julian.
Në një deklaratë të Kremlinit thuhet: Duke marrë parasysh apelin e Kirill, presidenti udhëzon ministrin e Mbrojtjes të Federatës Ruse që të vendosë një armëpushim përgjatë në Ukrainë për periudhën 36-orëshe.
Urdhri i Putinit i bëri thirrje Ukrainës që të përgjigjet në mënyrë që “numri i madh i besimtarëve ortodoksë [të cilët] banojnë në zonat ku po zhvillohen luftime të mund të festojnë natën e Krishtlindjeve të premten dhe ditën e Krishtlindjes të shtunën.
Në një deklaratë në Twitter menjëherë pas kësaj, Podolyak tha se nuk mund të ketë “armëpushim të përkohshëm” derisa forcat ruse të tërhiqen nga të gjitha zonat që ata kanë pushtuar.
Sipas BBC, armëpushimi i Kremlinit përputhet mirë me një narrativë të përbashkët në Moskë, e cila synon kryesisht audiencën vendase, duke nënkuptuar se rusët janë “djemtë e mirë”, dhe është Ukraina dhe Perëndimi që po kërcënojnë Rusinë.
Armëpushimi është gjithashtu një mjet i dobishëm që mund të përdoret për të ‘demonizuar’ Ukrainën, pasi ukrainasit e kanë hedhur poshtë propozimin, Moska do të pretendojë se Kievi nuk respekton besimtarët fetarë dhe nuk ka dëshirë për paqe.
Por nuk duhet harruar se ishte Rusia ajo që e nisi këtë luftë.
Armëpushimi vjen gjithashtu vetëm disa ditë pasi një numër i madh i trupave ruse u vranë në një sulm ukrainas në një kazermë të përkohshme në qytetin e pushtuar të Makiivka.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se numri i të vdekurve ishte 89, duke e bërë atë humbjen më të madhe të jetës të pranuar nga Moska që nga fillimi i luftës.
Të afërmit e të vdekurve, si dhe disa politikanë e komentues, shprehën zemërimin për atë që ndodhi në Makiivka dhe fajësuan zyrtarët ushtarakë.
Incidenti ndodhi në natën e Vitit të Ri, festa më e rëndësishme në kalendarin rus.
Analistja politike, Tatyana Stanovaya tha se është e mundur që Kremlini dëshiron të sigurojë që të mos ketë më humbje të mëdha jetësh në një festë tjetër të rëndësishme ruse.
“Putini me të vërtetë nuk dëshiron një përsëritje të kësaj në ditën e Krishtlindjeve ortodokse”, shkroi ajo.
Më herët, presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan i kërkoi Putinit të shpallte një armëpushim “të njëanshëm” në Ukrainë, në mënyrë që të dyja palët të mund të negociojnë.
Kisha Ortodokse Ruse është deri tani më e madhja nga kishat ortodokse lindore.
Disa njerëz në Ukrainë festojnë Krishtlindjet më 25 dhjetor, të tjerë më 7 janar. Të dyja ditët janë festa publike në vend.
Këtë vit, për herë të parë, Kisha Ortodokse e Ukrainës tha se do të lejojë kongregacionet e saj të festojnë Krishtlindjet më 25 dhjetor, siç bëjnë disa besime të tjera në Ukrainën perëndimore. Kisha u nda me Kishën Ortodokse të Ukrainës (UOC) me emër të ngjashëm në vitin 2018.
Vetë UOC ishte e lidhur me udhëheqjen fetare të Moskës deri në pushtimin e Rusisë, dhe disa nga klerikët e saj të lartë janë akuzuar se ende mbështesin fshehurazi Moskën.
Top Channel