Kosova u trondit nga tri vrasje të grave gjatë vitit të kaluar.
Lirije Qerimajt, Sadije Godenit e Hamide Magashit, shteti dështoi që t’ju ofrojë mbrojtje. Edhe pse kërkuan ndihmën e institucioneve, jeta e tyre për pak kohë u privua nga bashkëshortët.
Në të tri rastet konsiderohet se autoritetet nuk arritën të parandalojnë një krim të tillë. Absurde po vlerësohen edhe veprimet që u morën. Jeta e grave nga Kosova nuk po trajtohet me prioritet, thonë organizata për mbrojtjen e drejtave të grave.
Policia e Kosovës njofton se janë raportuar mbi dy mijë raste të dhunës në familje, ku tri grave u është privuar edhe jeta.
“Në periudhën janar-nëntor 2022, janë evidentuar 2471 raste, në këto raste kanë qenë 2517 viktima (2055 femra dhe 462 meshkuj). Sa i përket vrasjeve brenda familjes janë 3 femra të vrara dhe 6 meshkuj”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të PK-së.
Hetimi i vrasjes së Lirije Qerimaj nga Llausha e Skenderajt tregon për shkelje të dispozitave ligjore të Kosovës. Avokati i Popullit, Naim Qelaj deklaron se veprimet e institucioneve në këtë rast janë absurde.
“E kemi rastin në Llaushë, ku konsideroj që kemi edhe veprime që mund të konsiderohen të llojit absurd të autoriteteve, ku mbrojtjen e viktimës ja lejnë në dorë familjes. Edhe kjo është në kundërshtim të dispozitave ligjore të Kosovës, por edhe me Konventën e Stambollit. Përgjegjësia për t’i ofruar mbrojtje viktimës, në rastet kur raportohet dhuna në familje, bie mbi autoritetet publike, i bie shtetit dhe jo familjes. Shteti është dashur të vlerësojë rrezikun dhe të shoh dhe të marr masa që të parandalojë një veprim të tillë”, deklaron Qelaj.
Të domosdoshme ai e konsideron ndërgjegjësimin e grave dhe vajzave që rastet e dhunës të mos mbeten të mbyllura dhe më pas të përfundojnë në mënyrë tragjike.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli nënvizon dështimet në rastin e Hamide Magashit, 35-vjeçares, e cila u vra në oborrin e Gjinekologjisë.
“Kjo është një mallkim që këtë vit e ka përcjell në këto drejtime. Secili rast ka qenë në dijeni të shtetit, ka qenë më e dhimbshmja. Edhe ka qenë njëfarë pasigurie thjesht edhe për neve që merremi me të drejtat e grave, jemi ndjerë se cila është puna jonë tash t’ju themi grave raporto edhe më pastaj të dështojë. Për shembull, gruaja e fundit Hamidja ka raportuar dhunën edhe ajo e ka kryer si viktimë punën e saj edhe më pastaj ka qenë një rast tepër shokues sepse kemi parë që në duart e shtetit njëfarë mënyrë shteti e ka mbështet vrasjen. Edhe nuk e kemi llogaridhënien, nuk e kemi një hetim të detajuar se çfarë ka ndodhur. Kemi aty-këtu dorëheqje, kjo ka qenë më e dhimbshmja. Kjo ka qenë tavani i gjithë hendekut i asaj çfarë ka ndodhur”, deklaron Demolli.
“Jeta e grave nuk është prioritet”, shprehet Demolli, e cila shton se në këto raste dështimi po fillon që nga niveli lokal.
“Jeta e grave nuk është prioritet, ekzistenca e tyre në Kosovë është e rendit të dytë, po dështojnë më pastaj edhe ministritë të japin mesazh të mjaftueshëm që kjo nuk do të tolerohet. Thjesht hallkat e mbrojtjes, parandalimit kanë dështuar në Kosovë këtë vit, por të njëjtën kohë këtë vit asnjëherë si më parë janë gjithë të vetëdijshëm që dhuna është prezente edhe është një mënyrë e vetmja, një metodë e vetmja është që të raportohet dhuna, prej raportimit më pastaj ne do t’i bëjmë llogaridhënëse institucionet për shkak të dështimit”, shton Demolli.
Vetëm gjatë 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës në familje, në Kosovë janë shënuar dy vrasje të grave.
Dështimin e institucioneve përkatëse në trajtimin e këtyre rasteve po e pranon Ministria e Drejtësisë.
“Sipas informacioneve të deritanishme që i kemi, dështimi kryesor është tek prokuroria. Ne kemi kërkuar inspektim nga Inspektorati Policor për punën e zyrtarëve policorë, kemi kërkuar po ashtu inspektim për funksionimin e Qendrave për Punë Sociale dhe po ashtu nga Inspektorati Shëndetësor në raport me veprimet që i kanë ndërmarrë gjatë asaj kohe. Megjithatë, ne tashmë kemi tre raportet por që masa janë ndërmarrë deri më tani vetëm sa i përket zyrtarëve policorë që dyshohet se kanë falsifikuar dokumentet”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Drejtësisë.
Në shumë raste, gjatë vitit të kaluar janë organizuar protesta ku janë fajësuar policia, gjyqësori e prokuroria për vrasjet e grave nga bashkëshortët e tyre./ Kosovapress
Top Channel