Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, i është lejuar që të zhvillojë vizitë në Kosovë, në kuadër të përgatitjeve për festën e Krishtlindjes Ortodokse, që festohet më 7 janar.

Zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tha se kreu i Qeverisë kosovare iu përgjigj pozitivisht kërkesës për lejimin e vizitës së Porfirijes.

Këtë kërkesë Kurtit ia dërgoi ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiç.

“Patriarku Porfirije ka paralajmëruar që sot pasdite do të vijë te vendkalimi kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se dëshiron të hyjë pa truprojat e tij, edhe pse nuk ka bërë kёrkesё pёr vizitë, sipas dispozitave tё marrëveshjes ekzistuese”, u tha në njoftim.

Sipas Qeverisë, paralajmërimi i Porfirijes se do të hyjë në Kosovë pa truproje është “edhe një dëshmi e radhës se Kosova është vend më i sigurt se Serbia”.

Patriarku Porfirije kishte planifikuar që ta vizitonte Kosovën edhe në fund të dhjetorit. Megjithatë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, i kishte parashtruar disa kushte, para se t’i lejohej vizita në Kosovë.

MPJD atëbotë tha se Porfirijes iu kërkua që të dënojë apo distancohet “veprimet e pjesëtarëve të Kishës që po i ofrojnë përkrahje grupeve kriminale në veri të Kosovës” të cilët ishin “përgjegjës për barrikadat” e ngritura në atë pjesë.

Më pas, zyrtarët serbë deklaruan se kreut të Kishës Ortodokse Serbe iu ndalua hyrja në Kosovë përmes pikëkalimit kufitar të Merdares.

Porfirije kishte planifikuar që të qëndronte në Kosovë nga 26 deri më 28 dhjetor 2022, në kohën kur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë ishin të larta, pasi grupe serbësh lokalë, kishin ngritur barrikada në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Më 28 dhjetor, serbët vendosën që të largonin barrikadat, pasi argumentuan se kërkesat e tyre për një gjë të tillë ishin plotësuar./ Radio Evropa e Lirë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA