Forcat e  misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, do të largojnë këtë të enjte kamionët e dëmtuar, që kanë qenë të vendosur në veri të Kosovës nga serbët lokalë dhe  kishin bllokuar rrugët  për ditë të tëra në shenje proteste pas arrestimit të ish-policit serb Dejan Pantiç.  

Teksa më në fund tensionet u zbutën me lënien në arrest shtëpie të tij , Presidenti Aleksandar Vuçiç, ka thënë të mërkurën në Beograd se Serbia “mezi e shpëtoi” paqen në Kosovë.

“Ne nuk kemi provokuar askënd, as për një sekondë, përveç nëse disa njerëz e konsiderojnë provokim që ne i shohim njerëzit tanë në Kosovë si qytetarë të vendit tonë”, tha ai.

Presidenti serb theksoi se Serbia “dëshiron gjithmonë paqe me shqiptarët” dhe kërkoi “respektimin e të gjitha marrëveshjeve” të nënshkruara mes dy vendeve.

Nga ana tjetër muaji janar pritet të jetë periudhë e përpjekjeve të reja diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë .

Presidenti serb tha se Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, do të vizitojë Beogradin më 11 ose 12 janar.

Në rajon do të qëndrojnë edhe negociatorët evropianë në përpjekje për të përshpejtuar procesin e bisedimeve ndërmjet palëve në dritën e një propozimi që u bë i njohur si nisma franko-gjermane e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara e cila nuk parasheh njohjen e ndërsjellë por përfshinë propozimin që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.  Në Prishtinë ky propozim është cilësuar si “bazë e mirë për diskutime”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA