Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka humbi sërish për të disatën herë përballë drejtësisë.
I arrestuar prej më tepër se një viti, ish-funksionarit iu refuzua kërkesa për t’u liruar dhe për të shkuar në shtëpi, ndonëse ai këmbëngul se ka probleme shëndetësore.
Gjykata e Posaçme e Apelit deklaroi sërish arrest me burg duke lënë në fuqi vendimin e masës së sigurimit personal njësoj si gjykatat e tjera që u vunë në lëvizje gjatë 2022 nga ish-ministri.
Ish-zyrtari akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash në dy dosje të veçuara, për inceneratorin e Fierit dhe të Elbasanit.
Lefter Koka e ka pritur mbylljen e hetimeve në paraburgim derisa u dorëzua i pandehur së bashku me ish-sekretarin e përgjithshëm Alqi Bllako dhe një sërë nëpunësish anëtarë të koncensionarit dhe administratorë firmash. Sakaq në gjykatë ka mbërritur dhe një çështje e tretë, që ka si objekt kërkesën e Adriatik Doçit, i cili kundërshtoi mbylljen e hetimeve ndaj prokurorëve Eneid Nakuçi dhe Klodian Braho, të akuzuar nga gazetari për shpërdorim detyre dhe zhdukje të akteve.
Denoncimi i Doçit nuk u fillua nga SPAK dhe në këtë pikë gazetari i kërkon gjykatës të urdhërojë hetime, mbasi sipas tij dy prokurorët nuk vlerësuan provat në kompjuterin e Klodian Zotos i cili i pagoi udhëtime e akomodime ish-ministrit Arben Ahmetaj, i cili nuk u pyet asnjëherë dhe as nuk u hetua për inceneratorët.
Top Channel