“Do të mbështesim plotësisht prokurorët e posaçëm”, ambasadorja Kim zbardh takimin me kreun e ri të SPAK

05/01/2023 16:25

Detaje të reja janë zbardhur nga takimi mes ambasadores së SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim dhe kreut të ri të SPAK, Altin Dumani.

Me një postim në rrjete sociale, faqja zyrtare e ambasadës amerikane thotë se Kim uroi Dumanin për detyrën e re dhe ripërsëriti mbështetjen e SHBA-së për zbatimin e reformës në drejtësi.

Diplomatja amerikane u shpreh se do të mbështesë plotësisht prokurorët dhe hetuesit e SPAK teksa intensifikojnë ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, në përputhje me ligjin, pa frikë apo favore.

“Ambasadorja Yuri Kim u takua sot me Kreun e ri të SPAK, Altin Dumani, për ta uruar atë për postin e tij të ri drejtues. Ajo ritheksoi që Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin fort zbatimin e reformës në drejtësi, një kërkesë për aspiratat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Në këtë drejtim dhe për të çuar përpara jetësimin e faktit që Presidenti Biden e ka identifikuar luftën kundër korrupsionit si interes thelbësor të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ne do të mbështesim plotësisht prokurorët dhe hetuesit e SPAK teksa ndërtojnë mbi sukseset e deritanishme dhe intensifikojnë ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, në përputhje me ligjin, pa frikë apo favore. Askush nuk është mbi ligjin”, shkruan ambasada në Facebook.

Top Channel